Fjalë Kyçe

Ankesa për mospërgjigje në numrin e telefonit, në Konsullatën e Cyrihut

Ankesa për mospërgjigje në numrin e telefonit, në Konsullatën e Cyrihut

Më shumë se 10 thirrjeve të bëra brenda një dite, të cilat i ka bërë një qytetar i Kosovës që jeton në Zvicër, në misionin konsullor të Republikës së Kosovës në Cyrih, nuk u është përgjigjur askush. Në numrin e vetëm që është në ueb faqen e këtij misioni, ai ka thënë se është vështirë të lidhesh. “Zakonisht lajmërohet një zë femre ‘Stafi i konsullatës është i zënë’ edhe të thotë që do prit ose thirr më vonë”, ka thënë ai.

Pa dashur të identifikohet, ai ka treguar se për këtë është ankuar edhe tek Ministria e Punëve të Jashtme, porse nuk ka marrë ndonjë përgjigje. “As që lodhen me e hap telefonin me iu përgjigj mërgimtarëve për hallet e tyre dhe terminët që duhet t’i bëjnë, qoftë për regjistrim të ndonjë fëmije të porsalindur, qoftë për vazhdim të pasaportave e dokumenteve të tjera. Nuk e di se për çfarë paguhen këta konsuj”, ka thënë ai.

Si dëshmi ky qytetar gazetës i ka dërguar edhe thirrjet e njëpasnjëshme që i ka bërë në Konsullatën e Cyrihut. “Pritjet janë aq të shumta saqë nuk ke nerva me prit, dje, pardje, gjithë ditën kam thirrë me ba një termin, askush nuk e hap telefonin”, është shprehur ai.

Terminin ka thënë se ka arritur ta bëjë tek pas thirrjeve të njëpasnjëshme që i ka bërë për dy ditë radhazi.

Vërejtjet ai ka thënë se ka tentuar t’i paraqesë direkt në konsullatë edhe para rreth dy muajve.

“Unë kam qenë në konsullatë para 2 muajve për vazhdim të pasaportave të fëmijëve të mi dhe ua thashë vërejtjen time direkt, ‘çka është puna juaj që nuk e hapni telefonin kur thërrasim për të bërë termin në Konsullatë’, dhe përgjigjja e atyre që punonin në repartin ku vazhdohen pasaportat më thanë që mund të ankohesh një kat më lart, sepse ata janë përgjegjës për terminët, kështu që shkova edhe lart t’ua them të njëjtat vërejtje, por në atë moment nuk ishte askush aty”, ka theksuar ai.

Përvoja të tilla ka thënë se ka pasur edhe një student me prejardhje nga Kosova, por që ka lindur dhe jeton në Cyrih. “Kam përjetuar unë personalisht vetëm një herë që nuk e kapin telefonin, dhe kam parë disa herë që nuk janë aty në orar të punës, pra kam shku, nuk kanë qenë aty, edhe pse orari thotë që ai duhet të jetë aty dhe kam dëgjuar shumë shpesh që nuk e hapin telefonin, kjo është ankesa numër një që e kam dëgjuar”, ka thënë ai.

Lidhur me këto ankesa gazeta ka kërkuar përgjigje nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë. Në emailin me pyetje të dërguar të mërkurën nga zyra për media kanë thënë se do të përgjigjen “së shpejti”, por edhe të enjten ata nuk kanë kthyer përgjigje. Ndërkohë që konsulli i Kosovës në Cyrih, Sami Kastrati, ka thënë se përgjigjet lidhur me këtë temë do të dërgohen zyrtarisht nga kjo ministri.