Fjalë Kyçe

Apeli refuzon ankesat e avokatëve, Mimoza Kusari-Lila dhe të tjerët do të gjykohen në rastin “hidrocentralet”

Apeli refuzon ankesat e avokatëve, Mimoza Kusari-Lila dhe të tjerët do të gjykohen në rastin “hidrocentralet”

Gjykata e Apelit të Kosovës e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e avokatëve mbrojtës për hedhien e aktakuzës dhë kundërshtim të provave në rastin e “faljes së hidrocentralit”.

Gjykata e Apelit ka vërtetuar aktvendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës në rastin ndaj Besim Beqaj, Mimoza Kusari-Lila, Dardan Gashi, Nenad Rashiq, Flutura Hoxha e Arben Gjukës dhe çështja penale ndaj tyre, do të vazhdojë sipas procedurës penale.

Të pandehurit në fjalë, po akuzohen nga ana e Prokurori Special për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës zyrtare apo autoritetit zyrtar në bashkëkryerje” nga neni 422 par.2 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovë (KPRK).

Gjykata e Apelit po ashtu, e ka refuzuar edhe ankesën e Prokurorisë Speciale, për të akuzuarit tjerë në këtë rast: L.F., F.H., F. Ç., M. R., A. N., F.K., I. I., G. J., B. B., G. Sh., N. H., A. A. Procedura penale ndaj tyre është pushuar, për shkak të parashkrimit relativ te ndjekjes penale.

“Gjykata e Apelit gjeti se aktvendimi i ankimuar, nuk është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, dhe se gjykata e shkalles së parë, ka vendosur drejtë dhe ligjshëm, duke dhënë arsye të mjaftueshme, kur i ka trajtuar kërkesat e mbrojtësve, për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim te provave”, thuhet nga Gjykata e Apelit.

Në tetorin e vitit 2012, katër ministra të Qeverisë së atëhershme të udhëhequr nga Hashim Thaçi, e kishin ngritur dorën, për të miratuar shitjen e Distribucionit dhe Furnizimit për 26.3 milionë euro.

Në këtë shitje të aseteve publike ishin kontrabanduar hidrocentrale të vogla dhe këta ish-ministra, Besim Beqaj, Mimoza Kusari-Lila, Dardan Gashi dhe Nenad Rashiq do të thonin se nuk kanë pasur njohuri se janë aty.

Në listën e aseteve që i janë bartur konsorciumit “Calik & Limak” ishin “përvjedhur” katër hidrocentrale, me një kapacitet të instaluar prej 14 megavateve. Në to, gjatë viteve të fundit, janë investuar miliona euro, raporton KOHA. Kostoja e ndërtimit të një megavati shkon deri në 2 milionë euro.

Nuk dihet sa është vlera e tregut e hidrocentraleve, por nëse merret një mesatare e mjeteve të investuara në këto hidrocentrale dhe kostos së ndërtimit të hidrocentraleve të reja, del që kanë një vlerë rreth 20 milionë euro.

Falja e katër hidrocentraleve duket të jetë bërë në mënyrë të mistershme, duke i kontrabanduar gjatë procesit të privatizimit të Distribucionit dhe Furnizimit. Palët e përfshira ia hedhin fajin njëra-tjetrës për faljen e hidrocentraleve.