Fjalë Kyçe

Arben Gashi reagon ndaj deklaratave të Presidentit Thaçi, i del në mbrojtje aktivistit të Vetëvendosjes

Arben Gashi reagon ndaj deklaratave të Presidentit Thaçi, i del në mbrojtje aktivistit të Vetëvendosjes

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka thënë se presidenti, Hashim Thaçi duhet të tërhiqet nga deklarata e tij për aktivistin e Lëvizjes Vetëvendosje.

Gashi ka thënë se “fjalori i presidentit Thaçi për arrestimin e një qytetari protestues në sheshin Nëna Terezë është nën çdo nivel të pranueshëm për gjuhën e një bartësi institucional”, transmeton Telegrafi.

“Gjuha që po përdor presidenti është, thënë minimalisht, gjuhë e përçarjes dhe nxitjes, e jo e bashkimit e pajtimit. Presidenti ka përfunduar detyrimet e tij kushtetuese. Komentimet që po vazhdon t’i bëjë për situatën politike nuk janë në frymën e pajtimit, unifikimit dhe përfaqësimit simbolik, frymë që duhet të prezantojë institucioni që ai drejton”, ka shkruar Gashi.

Më tej ai ka thënë se “gjuha dhe retorika e liderëve politikë, e veçanërisht e presidentit, duhet me patjetër të pastrohet nga urrejtja, nëpërkëmbja, poshtërimi dhe fyerja e kundërshtarit politik”.

Ndryshe, presidenti Thaçi, duke komentuar arrestimin e aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, ai ka thënë se toleranca do të jetë zero për fyerje cenime fizike.