Me propozim të Aleancës për Shqiptarët dhe përkrahjen e Lëvizjes Evropiane për Ndryshim, kryetari i Komunës së Gostivarit, Arben Taravari,ka shpallur kandidaturën për President të Maqedonisë së Veriut.
Taravari tha se pret mbështetje nga të gjithë qytetarët, pa dallim etnie, feje apo partie politike.
“Është privilegj të kem besimin e kaq shumë faktorëve ,është përgjegjësi të jem i zgjedhur dhe i besuar i tyre. Është mision të jem zëri i juaj”, deklaroi mes tjerash kreu i Aleancës për Shqiptarët.
Vendimi i Taravarit për të shkuar në zgjedhje me opozitën shqiptare, krijoi përçarje me kryetarin e Kuvendit të partisë, Ziadin Sela, krahu i të cilit vazhdon të mbetet në Qeveri.
Ndërkohë, kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut Jovan Mitrevski ka shpallur zgjedhjet parlamentare dhe ato presidenciale.
Ai ka njoftuar se rrethi i parë i zgjedhjeve të shtata për President të Republikës së Maqedonisë së Veriut do të mbahet më 24 prill 2024 ndërsa rrethi i dytë i votimit do të mbahet dy javë më vonë, më 8 maj së bashku me zgjedhjet parlamentare.
Ndwrkohë edhe BDI dhe dy partitë më të mëdha maqedonase, pritet t’i prezantojnë këto ditë kandidatët e tyre për president.