Fjalë Kyçe

Arbëri Krasniqi mohon se informacionet që i përkisnin Zbulim-Kundërzbulimit ia përcillnin Kadri Veselit

Arbëri Krasniqi mohon se informacionet që i përkisnin Zbulim-Kundërzbulimit ia përcillnin Kadri Veselit

Dëshmitari Naser Krasniqi tha se sektori i Zbulim-Kundërzbulimit (ZKZ) ka qenë pothuajse fiktiv dhe që ato pak informacione që kanë ardhur nuk i janë përcjellë Kadri Veselit si shef i këtij sektori në UÇK.

Fillimisht, Krasniqi në intervistë për ZPS-në e kishte përshkruar rolin e tij si udhëheqës i ZKZ-së në Brigadën 121 si fiktiv, pasi emërimi i tij ishte vetëm për përmbushjen e strukturës formale dhe organogramit të UÇK-së. Edhe sot, në sallën e gjyqit dëshmitari e pohoi një gjë të tillë, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Dëshmitari Krasniqi kishte thënë se detyra e çdo shërbimi inteligjence është që të mbledhë informacion dhe kjo ishte më shumë si përshkrim në organogramën e UÇK-së në atë kohë. Kishte shtuar se nuk kishte kapacitete sa u takon veprimeve konkrete në këtë shërbim.

Krasniqi kishte thënë se edhe në rastet kur kanë mbledhur ndonjë informatë të caktuar, e kanë përcjellë. Megjithatë, ai kishe shtuar që sa i kujtohet nuk kishte marrë ndonjëherë ndonjë informacion të rëndësishëm, pasi sipas tij kishin mundësi të kufizuara.

“Më kujtohet që e kam thënë një gjë të tillë”, tha dëshmitari, duke shtuar se edhe informacionet që janë sjellë në njësi nuk kanë qenë të rëndësishme dhe në rast që nuk do vinin këto pak informacione, shërbimi do të quhej fiktiv.

“Nuk ka qenë ndonjë informacion që i takon nivelit të shërbimeve informative apo Zbulim-Kundërzbulimit”, tha ai.

Krasniqi pohoi që në rast se merrej ndonjë informacion i tillë, i përcillej komandantit të Brigadës që në atë kohë ishte Haxhi Shala dhe nuk e kalonin më tej në hierarki.

Krasniqi u përgjigj me ‘pajtohem’ kur u pyet se a është e saktë të thuhet që informacionet nuk i janë përcjellë drejtpërdrejtë Kadri Veselit që ishte shef i ZKZ-së.

Dëshmitarit iu prezantua një vendim dhe ai mohoi se ka nxjerrë vendime të ngjashme që emëronin persona të caktuar për pozita të caktuara.

“As si komandant i ZKZ-së e as si komandant i Togut të Policisë Ushtarake. Konsideroj që është hera e vetme që është lëshuar ai vendim. Nuk do të thotë që emërtimi është i saktë. Këtu janë disa detyra që janë dhënë skuadrës së Policisë Pshtarake në Bellanicë për ruajtjen e rendit në ato rrethana”, tha dëshmitari.