Fjalë Kyçe

Argjentina pranon vaksinën ruse Sputnik V

Argjentina pranon vaksinën ruse Sputnik V

Argjentina ka nisur t’i vaksinojë qytetarët kundër koronavirusit sot, duke përdorur 300 mijë doza të vaksinës anti-COVID, Sputnik V, të prodhuar nga Rusia. Dozat janë pranuar javën e kaluar, ka njoftuar Qeveria, raporton agjencia Reuters.

Shteti nga Amerika e Jugut është goditur rëndë nga pandemia COVID-19, duke regjistruar mbi 1.6 milionë raste dhe 42.868 të vdekur. Frika nga një valë e re është rritur.

Zyrtarët kanë thënë se punëtorët shëndetësorë do të jenë të parët që do të vaksinohen, pasuar më pas nga forcat e sigurisë, mësuesit, të moshuarit dhe grupet tjera të rrezikuara.

Argjentina është bërë shteti i tretë që ka aprovuar vaksinën Sputnik V, pas Rusisë e Bjellorusisë. Kritikët si në Argjentinë ashtu edhe në vendet tjera kanë vënë në pyetje efikasitetin e vaksinës, efektet anësore dhe transparencën e rezultateve në prova. Rusia ka thënë se këto kritika janë të pabazuara.

“Duhet të jesh i frikësuar nga sëmundja e jo nga vaksina”, ka thënë të martën ministri i Shëndetësisë i Argjentinës, Gines Gonzalez Garcia.