Fjalë Kyçe

Arifi akuzon Vetëvendosjen: Po e shfrytëzojnë Qeverinë për të shtrirë programin politik në Luginë

Arifi akuzon Vetëvendosjen: Po e shfrytëzojnë Qeverinë për të shtrirë programin politik në Luginë

Kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi, ka kritikuar pushtetin aktual në Kosovë për ndërhyrje flagrante në Luginë.

Sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje po tenton që programin e saj politik ta shtrijë edhe në Luginë të Preshevës.

Sipas Arifit Vetëvendosja po e përdorë institucionin e Qeverisë dhe të gjitha shërbimet e tjera, në shërbim të shtrirjes së politikës së saj në Luginë.

“Të njëjtën është munduar ta bëjë edhe në Shqipëri, por edhe në Luginë. Këtu e ka bërë edhe një herë më të rëndë situatën sepse nuk u dashtë në Luginë sepse ne nuk kemi nevojë të na përçajë institucioni, apo ndonjë parti politike në Kosovë. Ne kemi nevojë për unifikim, për mirësjellje dhe respekt, sepse ne jemi ata të cilët ende në Serbi jetojmë dhe të cilët ende diskriminohemi dhe pasivizohemi. E bën edhe një herë më marre për atë që kanë bërë”, ka theksuar Arifi.

Ai ka akuzuar edhe pushtetin e kaluar në Preshevë, të kryesuar nga Ardita Sinani. Arifi ka thënë se ajo e ka zhvatur komunën.

“Prioriteti im ka qenë sivjet sidomos në klasifikimin dhe qartësimin e gjërave zhvatëse që kanë ndodhur në pushtetin e kaluar që kemi pasur. Dhe i dyti prioritet ka qenë që të balancojmë vitin 2022 sepse na kanë ngarkuar me borxhe të tepërta dhe ka qenë vështirë këto borxhe t’i menaxhojmë deri në fund të vitit që të mund të kalojmë në vitin e ri me projekte të reja. Paralelisht, prioriteti i tretë ka qenë që aty ku e kemi lënë para vitit 2021, thjesht të vazhdojmë. Pra, neve Presheva për shkak të manovrimeve politike na ka humb prapë një vit, nuk është hera e parë, kjo na ka ndodhur edhe në vitin 2017 kur më kanë shkarkuar”, ka thënë Arifi.

Ai ka kritikuar edhe deputetin e vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, duke e quajtur atë të deleguar nga presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq.

“Shqiptarët nuk kanë përfaqësues në Parlamentin e Serbisë, e kemi një të deleguar nga Vuçiqi, i cili e ka emrin Shaip Kamberi. Sepse ai nuk ka arritur të marrë pjesë prapë në listën që ka qenë e unifikuar në vitin 2020, kuptoni ju në Kosovë. Në vitin 2020 kemi arritur pas 30 viteve që të unifikohen shqiptarët për zgjedhjet parlamentare. Shumica e dinë, këtë e them me objektivitet që kam qenë një nga njerëzit që kam kontribuar maksimalisht në këtë drejtim. Por, Shaip Kamberi me megalominë e tij të cilën e ka ndërtuar aty në parlament, në vitin 2022 nuk ka pasur interes që të hyjmë në një listë të përbashkët që e kemi pasur në vitin 2020”, ka thënë Arifi.

Arifi akuzon Vetëvendosjen për keqpërdorim të fondit dymilionësh për Luginën

Kryetari i Preshevës është shprehur i pakënaqur edhe me fondin dymilionësh të ndarë nga Qeveria e Kosovës për Luginën, meqë sipas tij, ato mjete janë zhvatur dhe kthyer në gjepat e Vetëvendosjes.

“Është marre çfarë ka ndodhur, ne gjendemi në janar të këtij viti dhe deri në nëntor të vitit të kaluar nuk janë shpërndarë mjetet ashtu siç u janë premtuar qytetarëve tanë … Pra me këto mjete deri në dhjetor janë përdor për të shkuar e për të shëtitur në Amerikë njerëzit që nuk dinë as anglisht e as nuk kanë përkthyer dhe nuk dinë ta elaborojnë çështjen e Luginës së Preshevës… Këto dy milionë euro janë zhvatur dhe janë kthyer në gjepat e Vetëvendosjes nëpërmjet piunëve të tyre në Luginë të Preshevës”, ka theksuar Arifi.

Ai ka thënë se pret që së shpejti të ketë marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë dhe sipas tij kryeministri Albin Kurti nuk do ta pranojë marrëveshjen për Asociacionin.

Në raport me dialogun Kosovë-Serbi, Arifi ka vlerësuar se nuk ka strategji kombëtare por vetëm ide të Albin Kurtit.

“Nuk është që ne e kemi një strategji kombëtare shqiptare të Kosovës. Ne e kemi një strategji e cila ndërtohet nga programi politik, nga ideja e Albin Kurtit për këtë dialog. Edhe tash po e shohim që po bie në kundërshtim edhe me vetën. Albin Kurtit iu ka thënë që Asociacioni duhet të implementohet. Ia ka bërë të qartë Amerika, ia ka bërë të qartë BE-ja, ia kanë bërë të qartë kur ka qenë të parën herë në qeveri dhe sidomos tani, vitin që lëmë pas”, ka theksuar ai.

Ai ka kritikuar edhe faktin që Kurti e ka emëruar Ardita Sinanin, këshilltare për tri komunat e Luginës, duke thënë se ajo nuk përfaqëson qytetarët që jetojnë atje.

“Ardita Sinani nuk e përfaqëson Luginën e Preshevës. Ardita Sinani është një grua e cila ka padi për korrupsion këtu. Ajo nuk ka as votë këtu, ajo është gjithmonë e treta apo e katërta parti që del në zgjedhje, kurrë nuk e përfaqëson ajo me një masë kaq të vogël Luginën e Preshevës. Ajo është makijazh për politikat e Vetëvendosjes”, ka thënë Arifi.

Ai ka kritikuar edhe kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama për mos reagim dhe përkrahje për qytetarët e Luginës. /KSP