Fjalë Kyçe

Arkëtari i ‘NLB’-së tentoi t’i vjedh 147 mijë franga nga një klient, ngrihet aktakuzë ndaj tij

Arkëtari i ‘NLB’-së tentoi t’i vjedh 147 mijë franga nga një klient, ngrihet aktakuzë ndaj tij

Prokuroria Themelore e Prizrenit ka ngritur aktakuzë për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar ndaj arkëtarit të NLB Bankës.

Më 30 dhjetor të vitit 2016 arkëtari kryesor i bankës “NLB”, në Prizren, kishte tentuar që t’i vjedh 147 mijë franga nga një klient, shkruan lajmi.net.

Pasi që ishte zbuluar nga punëdhënësi, ai të nesërmen i kishte kthyer paratë në bankë në mënyrë ilegale përmes vartësve të tij.

Pothuajse katër vite më vonë, Prokuroria Themelore e Prizrenit, përkatësisht Departamenti për Krime të rënda ka ngritur aktakuzë ndaj A.B., për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Sipas njoftimit, prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit, për veprën penale e cila i vihet në barrë.

Njoftimi i plotë, pa ndërhyrje:

Aktakuzë për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar

Prizren, 11 qershor 2020 – Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit me inicialet A.B., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (04/L-082).

Sipas aktakuzës, i pandehuri A.B., si person zyrtar, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i tejkalon kompetencat e tij, me qëllim që të përfitoj çfarëdo dobie për vete ose për personin tjetër, në atë mënyrë që me datë 30.12.2016, në cilësinë e arkëtarit kryesor në bankën “NLB”, me seli në Prizren, pranon nga bashkëpunëtori i klientit të bankës E.Sh., – pronar i këmbimores “Euro-Eki”N.Sh., një shumë të lartë të valutave të frangave zvicerane për konvertim, e pastaj ia kthen në para të gatshme shumën prej 147,000.00 euro, të cilat nuk i fut në sistem. Pastaj, kur zbulohet nga punëdhënësi, shumën gjegjëse të mjeteve të nesërmen përmes vartësve të tij ilegalisht e kthen në bankë.

Me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri A.B., ka përmbushur elementet e veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” sipas KPRK-së.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit, për veprën penale e cila i vihet në barrë.