Gjykata ka caktuar masën e arrestit shtëpiak ndaj 5 të arrestuarve gjatë ditës së djeshme në një klinikë private.
Siç ka marrë vesh “Koha Ditore” nga burime brenda organeve të hetuesisë, dje janë arrestuar dy nga menaxherët e spitalit, një mjek, i cili dyshohet se është marrë me procesin e nxjerrjes se “materialit trashëgues” nga qytetarët dhe dy infermiere.
Dyshimet për shitblerjen e materialit gjenetik dhe shfrytëzimin e “qelizave të huaja seksuale” të çiftëve për t’i bërë prindër të tjerë çifte, pa autorizim të personave nga të cilët janë marrë ato, kanë çuar në arrestimin e pesë personave në klinikën amerikane “Behar Kusari” në Prishtinë, ka raportuar “Koha Ditore”.
Përveç arrestimit, Policia e Kosovës në bashkëpunim me Inspektoratin Shëndetësor dhe Farmaceutik e ka mbyllur repartin ku kryhej frytnimi i asistuar (IVF).
Hetimi që ka zgjatur rreth tetë muaj nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore (DHTQNJ) në bashkëpunim me Departamentin e Krimeve të Rënda në Prokurorinë Themelore në Prishtinë ka rezultuar me dy ditë bastisje në klinikën “Behar Kusari”.