Fjalë Kyçe

Arrestimi i Radoiçiq, SHBA: E dimë se sulmi ishte i koordinuar e i planifikuar mirë, të gjithë të përfshirët të sillen para drejtësisë

Arrestimi i Radoiçiq, SHBA: E dimë se sulmi ishte i koordinuar e i planifikuar mirë, të gjithë të përfshirët të sillen para drejtësisë

Departamenti amerikan i Shtetit thotë e dinë se sulmi i 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit ishte “i koordinuar dhe i planifikuar mirë”.

Zëvendëszëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Vedant Patel u pyet në një konferencë për media për arrestimin e Milan Radoiçiqit të martën dhe nëse ka për të thënë diçka rreth kësaj.

“Ne i kemi parë ato raporte, Shaun. Ne nuk do të shkojmë përpara hetimit. Dhe siç e kemi thënë, ne e dimë se sulmi ishte i koordinuar dhe i planifikuar mirë, dhe të gjithë ata që ishin të përfshirë në planifikimin dhe kryerjen e këtij sulmi duhet të sillen para drejtësisë”, tha ai.

Milan Radoiçiq u arrestua dje në Serbi, por presidenti serb, Aleksandar Vuçiq nuk ka dhënë asnjë shenjë se do të bashkëpunojë për verifikimin e të gjitha fakteve lidhur me sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit dhe aktivitetin terrorist të grupit të udhëhequr prej mikut të tij, i cili iku për t’u strehuar në Serbi.

Bashkimit Europian ka kërkuar që Beogradi të bashkëpunojë pa kushte në hetimet që do t’i bëjë Policia e Kosovës, ndërsa institucionet në Kosovë kanë paralajmëruar se do të kërkojnë ekstradimin e Radoiçiqit dhe të gjithë pjesëmarrësve të tjerë në sulm.

Për terroristët që arritën të iknin dhe që Vuçiq tha se do të japin llogari në Serbi, u ofrua strehim dhe për tre prej tyre që u vranë, u shpall ditë zie kombëtare.