Policia e Kosovës, me urdhër të Prokurorisë Speciale, ka kryer një aksion në disa qendra të thirrjeve, (Call Centres), në Prishtinë, me ç’rast kanë arrestuar 14 persona të akuzuar për veprat penale “Hyrja në sistemet kompjuterike”, “Mashtrimi” dhe “Shpëlarja e parave”.
Ky aksion, si rezultat i të cilit u parandaluan dallavere me këtë lloj biznesi, ishte punë disa mujore e Prokurorisë Speciale në bashkëpunim me autoritetet gjermane.
14 personat e arrestuar dyshohen se, përmes këtyre qendrave të thirrjeve, kanë komunikuar me shtetas të jashtëm, përfshirë ata gjermanë, duke i mashtruar kinse për të investuar në platforma të ndryshme kompjuterike, përmes kompjuterëve.
“Policia e Kosovës, ka zbatuar autorizimin e lëshuar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës si dhe urdhëresën e Gjykatës, që kanë të bëjnë me identifikimin e disa personave të dyshuar, arrestimin e tyre dhe marrjen në pyetje, kontrollin e lokacioneve të personave të dyshuar dhe sekuestrimin e provave. Po ashtu, Prokuroria Speciale njofton se ky hetim disa mujor është bërë në bashkëpunim edhe me Autoritetet Gjermane”, thuhet në njoftimin e policisë.
Në cilësi të provave, nga këta persona janë sekuestruar edhe dy vetura, 167 kompjuterë desktop, 3 laptopë e 21 telefona mobilë.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, 14 personat e arrestuar janë dërguar në mbajtje prej 48 orësh.