Policia e Gjilanit mbrëmë ka arrestuar 5 inspektorë komunalë për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Me urdhër të prokurorit, të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë, shkruan Gazeta Sinjali.
Kështu kanë bërë të ditur sinjalizues të Gazetës Sinjali, të cilët njoftuan se mbrëmë është zhvilluar një aksion i madh kontrolli në lokalet e gastronomisë në Gjilan.
Lajmin për arrestimin e inspektorëve e ka konfirmuar për Gazetën Sinjali edhe kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Gjilanit, Jetish Maloku, i cili tha se të njëjtit janë ndaluar për 48 orë.
“Janë arrestuar 5 inspektorë komunalë për dyshim për veprën penale ‘keqpërdorim i detyrës zyrtare’. Të njëjtit janë ndaluar për 48 orë”, ka thënë Maloku për Gazetën Sinjali.
Policia e Kosovës vazhdimisht po zhvillon aksione për të monitoruar zbatimin e masave të Qeverisë kundër përhapjes së koronavirusit.
Gazeta Sinjali mëson se është hera e parë që arrestohen persona zyrtarë për mospërmbushje të detyrave zyrtare në lidhje me zbatimin e masave antiCOVID, përkundër që kishte pakënaqësi të mëdha lidhur me menaxhimin e zbatimit të këtyre masave.
Ky arrestim vjen nga Prokuroria e Gjilanit, ndonëse edhe prokuroritë e tjera rajonale kanë arsye të bëjnë veprimet e njëjta për të përmirësuar situatën në vend.