Pas një aksioni të filluar rreth orës 06:00 në mëngjes, kanë mbetur dy persona të arrestuar në këtë pjesë të vendit.
Janë djali i Zhelko Bojiqit, shefit të operativës së PK’së dhe Rado Basara dy të arrestuarit të sotëm që lidhen me vrasjen e politikanit, Oliver Ivanoviq.
Tashmë Njësia Speciale është nisur drejt Prishtinës me dy të arrestuarit.
Zyrtari i lartë i Policisë së Kosovës në pjesën veriore të Mitrovicës, Rade Basara, është personi i cili sot në orët e para të mëngjesit u arrestua nga njësia speciale e Kosovës. Ky person dyshohet se gjatë rastit të vrasjes së politikanit serb, Oliver Ivanoviqi, ka marrë pjesë në fshehjen e provave dhe veprimtarive që kanë të bëjnë me vrasjen e Ivanoviqit, shkruan Express. Të arrestuarit janë dërguar në Prishtinë, ndërsa në këto momente aksioni po vazhdon në komunën e Leposaviqit.
Basara dyshohet, po ashtu, të ketë gisht edhe në krim të organizuar në këtë pjesë. Ndërkohë, Express mëson se personi i dytë, po ashtu pjesëtar i Policisë së Kosovës në atë pjesë, i cili po kërkohet për arrestim është shefi i operativës në atë zonë Zh. Bojiq. Ai ende nuk është kapur nga Policia e Kosovës.
E ndërkohë, organet e rendit, përveç arrestimit të Rado Basarës e kanë arrestuar edhe një person tjetër, identiteti i të cilit ende nuk është bërë i ditur.
Megjithëkëtë, detaje për këtë rast ka dhënë para pak minutave për Express, prokurori special që po e heton rastin, Sylë Hoxha.
Ai ka thënë se ky aksion është bërë në bazë të një urdhërese nga Prokuroria Speciale me vendim të Gjykatës Themelore të Prishtinës, saktësisht Departamentit për Krime të Rënda.
“Mund të ju konfirmoj rreth aksionit. Për momentin kemi arrestuar dy persona si dhe një tjetër është në kërkim. Arrestimi i tyre ka të bëjë me fshehjen e provave që kanë të bëjnë me rastin e vrasjes së ish-politikanit serb, Oliver Ivanoviq. Mirëpo dyshohen edhe për pjesëmarrje në krim të organizuar”, ka deklaruar Hoxha për Express.
E ndërkohë në këtë aksion, besohet se kanë marrë pjesë 100 policë të njësisë speciale të Kosovës me 25 autoblinda. Aksioni ka ndodhur në orën 05:50 të mëngjesit të sotëm.
—————
Arrestohet djali i eprorit të lartë policor në veri, dyshohet për vrasjen e Oliver Ivanoviqit
V.B. është personi tjetër i arrestuar nga forcat speciale të Policisë së Kosovës gjatë aksionit të sotëm në veri të vendit.
Burime të KosovaPress-it bëjnë të ditur se V.B. është djali i eprorit të lartë të policisë në veri, Zheljko Bojiq.Sipas këtyre burimeve, ai është arrestuar në zyrat e autolarjes së tij në Rudare të Komunës së Zveqanit, ndërsa në posedim i janë gjetur një pistoletë dhe municion.
Ndryshe, KosovaPress-i kishte raportuar më herët se policia gjatë aksionit të sotëm në veri ka arrestuar edhe hetuesin policor Rade Basara, i cili dyshohet për fshehjen e provave gjatë hetimit të vrasjes së politikanit serb Oliver Ivanoviq.
————————-
Arrestohen dy persona në Mitrovicë, njëri i dyshuar për vrasjen e Ivanoviqit
Dy persona janë arrestuar në veri të Mitrovicës nga Policia e Kosovës dhe një është në kërkim.
Njëri nga të dyshuarit është arrestuar për vrasjen e Oliver Ivanoviqit ka konfirmuar Policia e Kosovës për KTV-në, derisa një person është arrestuar sepse i janë gjetur armë dhe municion.
KTV merr vesh se njëri nga të arrestuarit është Rade Basara dhe personi tjetër që është në kërkim, Zejlko Bojic. Në akisionin që ka nisur rreth orës 5 të mengjesit kanë marrë pjesë rreth 100 policë e forca të mëdha policore kanë qenë të stacionuar në veri.