Fjalë Kyçe

Arrestohen dy policë në Tropojë

Arrestohen dy policë në Tropojë

Janë arrestuar dy punonjës policie në Tropojë për “Shpërdorim detyre” dhe “Falsifikim të dokumenteve”.

Të arrestuarit janë nënkomisari F. Gj., specialist i Menaxhimit të Trafikut Urban dhe Interurban, pranë Komisariatit të Policisë Tropojë dhe inspektor B.Rr., po specialist i Seksionit të Menaxhimit të Trafikut Urban dhe Interurban në Tropojë.

Njoftohet se nga hetimet e zhvilluara ka rezultuar se në 27 janar në Drejtorinë Rajonale të Shërbimit për Çështjet e Brendshme është paraqitur përfaqësuesi i një kompanie sigurimesh, i cili ka bërë kallëzim penal se në datë 16 janar 2021 është njoftuar nga një person se ka ndodhur aksident në rrugën Tropojë – Lekbibaj, ku janë përplasur dy mjete.

Shoferit i është thënë nga policët, se fajtor është mjeti i siguruar tek kjo kompani sigurimi. Por vijon më tej njoftimi, “pas materialit kallëzues u krye hetim administrativ për rrethanat e aksidentit dhe përcaktimin objektiv të fajtorit si dhe veprimet e punonjësve të policisë në raport me ngjarjen. Dyshohet se dy punonjësit e Policisë Rrugore kanë shpërdoruar detyrën e falsifikuan dokumentet” thotë SHÇBA.

Me kërkesë të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tropojë, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tropojë ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest në burg” për dy punonjësit e policisë të cilët janë arrestuar.