Fjalë Kyçe

Arrestohen katër tifozë të Bullgarisë për thirrje raciste ndaj Anglisë

Arrestohen katër tifozë të Bullgarisë për thirrje raciste ndaj Anglisë

Katër tifozë bullgarë janë arrestuar për shkak të thirrjeve raciste në drejtim të futbollistë me ngjyrë në Kombëtaren e Anglisë. Lajmin e ka bërë të ditur Ministria e Punëve të Brendshme e Bullgarisë.

Fitorja e Anglisë me rezultat 6:0 kundër Bullgarisë, në kuadër të kualifikimeve për EURO 2020, u ndal dy herë shkaku i thirrjeve raciste nga tifozët vendas drejt futbollistëve me ngjyrë anglezë, transmeton Gazeta Express.

“Hetimet po vazhdojnë për t’i identifikuar edhe tifozët e tjerë të përfshirë”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga Ministria e Punëve të Brendshme e Italisë.

Të martën, presidenti i Federatës së Futbollit të Bullgarisë, Borislav Mikhaylov, dha dorëheqje nga posti i tij, pasi që kryeministri i Bullgarisë tha se nuk do ta financojë Federatën derisa të japë dorëheqje Mikhaylov.

Federata e Futbollit e Anglisë dhe UEFA i kanë dënuar veprimet e atyre tifozëve bullgarë, përderisa presidenti i shtëpisë së futbollit të Evropës, Aleksander Ceferin, kërkoi që të ashpërsohet lufta kundër racizmit.

Trajneri i Bullgarisë, Krasimir Balakov, kishte thënë pas ndeshjes se ai nuk kishte dëgjuar asnjë thirrje raciste, ndërsa para ndeshjes e kishte akuzuar Anglinë se ka problem më të madh me racizmin sesa Bullgaria.

Megjithatë, që nga atëherë, Balakov ka postuar në llogarinë e tij zyrtare në rrjetin social Facebook, duke i pranuar incidentet e së hënës dhe duke u kërkuar falje të gjithë futbollistëve anglezë që ishin ofenduar.

“Unë i dënoj të gjitha format e racizmit si sjellje të papranueshme, që janë në kundërshtim me marrëdhëniet normale njerëzore. Mendoj se kjo formë e paragjykimit duhet të groposet thellë në të kaluarën tonë”, shkroi Balakov.