Fjalë Kyçe

Arrestohet i dyshuari për disa vrasje me pagesë, përfshirë edhe vrasjen e një 59 vjeçari në Gjakovë

Arrestohet i dyshuari për disa vrasje me pagesë, përfshirë edhe vrasjen e një 59 vjeçari në Gjakovë

Të tjera detaje dalin në dritë nga arrestimi i Dod Gjikolaj, person i cilësuar me rrezikshmëri të lartë shoqërore, pasi akuzohet për disa vrasje me pagesë.

Gjikolaj akuzohet se është autor i vrasjes me eksploziv i Haxhi Ahmetit në Gjakovë.

Ai u vra në 14 tetor të vitit 2018 në Smolicë të Gjakovës.

Mësohet se eksplozivi ishte vendosur në derë të shtëpisë së viktimës, 59 vjeç, i cili mbeti i vdekur në vend. Kujtojmë se Gjikolaj u arrestua sot në një hotel në lagjen muzeale të Gjirokastrës.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet operacioni policor i koduar “Kalaja”. Fast Albania, në bashkëpunim me Fast Kosova, DVP Gjirokastër, Lezhë e Shkodër dhe Interpol Tirana, në kuadër të operacionit të koduar “Kalaja” kapën një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore në fushën e krimeve ndaj personit.

Kapet dhe ndalohet një shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar, për krime ndaj personit me armë zjarri e eksploziv. 41-vjeçari i dyshuar si vrasës me pagesë për disa vrasje në Kosovë, me armë zjarri dhe ekspolziv.

Në zbatim të planit të masave për kapjen e personave që qarkullojnë me armë zjarri, atë që janë të shpallur në kërkim kombëtar e ndërkombëtar, apo që kryejnë trafiqe të paligjshme, falë informacioneve policore dhe koordinimit të veprimeve u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Kalaja”.

Në kuadër të këtij operacioni i cili u zhvillua nga Fast Albania, DVP Gjirokastër, DVP Lezhë e Shkodër, Interpol Tirana dhe Fast Kosova, u bë e mundur lokalizimi i vendndodhjes në Gjirokastër dhe më pas kapja e shtetasit shumë të kërkuar nga drejtësia e Kosovës, D. Gj., 41 vjeç, banues në Velipojë Shkodër shtetas dyshohet si vrasës me pagesë për një sërë ngjarjesh me eksploziv e armë zjarri në Kosovë.