Policia e Kosovës (PK) nga rajoni i Prishtinës ka arrestuar A.O, nën dyshimin se ka kryer tri vepra penale, “Rrëmbimi”, “Fajdeja” dhe “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Një gjë të tillë e ka bërë të ditur PK përmes një njoftimi për media, ku thuhet se i njëjti është arrestuar në lagjen Pejton.“Në koordinim me prokurorin e shtetit – Departamentin e Krimeve të Rënda dhe Gjyqtarin e procedurës paraprake, nga hetuesit policor është kryer një kontroll/ bastisje në shtëpinë e të dyshuarit, në Prishtinë, ku dyshohet se është mbajtur i rrëmbyer viktima.”, thuhet në komunikatën e PK-së.
Policia gjithashtu bën të ditur se gjatë kontrollit, përveç disa provave që lidhen me rastin, janë gjetur dhe sekuestruar para të gatshme mbi 12 mijë euro, të cilat dyshohet se janë përfituar me anë të veprës penale dhe një sasi e substancës narkotike që dyshohet të jetë kokainë.Bëhet e ditur se i dyshuari në këtë rast, pas intervistimit me rekomandim të prokurorit është dërguar në mbajtje, ndërkohë që hetuesit policor janë duke ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore dhe procedurale, për sqarimin dhe zbardhjen e plotë të motiveve dhe rrethanave të rastit.