Një person është arrestuar sot nën dyshimin se ka kryer krime lufte ndaj popullatës civile në fshatin Ponorc të Malishevës.
Në njoftimin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës thuhet se sot është ndaluar një person, për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”, e sanksionuar me nenin 142 të Ligjit Penal të ish- Jugosllavisë.
“Hetimet preliminare tregojnë se i dyshuari gjatë kohës së luftës në Kosovë, ndaj popullsisë civile në fshatin Panorc Komuna e Malishevës, ka kryer krime të luftës”, thuhet në njoftim.
Me urdhër të Prokurorisë Speciale, i pandehuri gjendet nën masën e arrestit të përkohshëm dhe ndalimit për 48 orë dhe brenda afatit ligjor do të dërgohet para Gjyqtarit të procedurës paraprake, për procedurë të mëtutjeshme.