Fjalë Kyçe

Arrestohet një person në Mitrovicë, dyshohet se kërcënoi ashkalitë nëse s’e votojnë Listën Serbe

Arrestohet një person në Mitrovicë, dyshohet se kërcënoi ashkalitë nëse s’e votojnë Listën Serbe

Një person është arrestuar në Mitrovicë të shtunën nën dyshimin se ka kërcënuar një person të komunitetit ashkali me largim të të bijës nga vendi i punës, nëse nuk e voton Listën Serbe në zgjedhjet e 9 shkurtit. Dyshimet janë se ai ka kërcënuar po ashtu të gjithë bashkëkombësit e tij me ndalesa të asistencës sociale.

Siç ka njoftuar Policia, i dyshuar është G.J. 29-vjeçar.

“Me datën 08.02.2025 në Stacionin Policor Jugu në Mitrovicë është paraqitur ankuesi M/A/K, banues në Mitrovicë Jug, i cili ka deklaruar se para një jave e kishte ftuar në takim në një lokal i dyshuari M/R/K, i cili i kishte thënë ankuesit që ai të votonte për subjektin politik ,,Lista Serbe”, në të kundërtën ai do ta largonte nga puna vajzën e ankuesit e cila ishte duke punuar në kompaninë publike të pastrimit të komunës në Mitrovicë Veri, njëkohësisht kandidate për deputete e një subjekti të këtij komuniteti për zgjedhjet parlamentare”, ka njoftuar Policia e Kosovës.

“Gjithashtu sipas deklaratës së ankuesit, i dyshuari i kishte bërë presion që të gjithë bashkëkombësit e ankuesit të nacionalitetit ashkali nga Mitrovica Jug, të votonin subjektin politik ,,Lista Serbe” në të kundërtën ai do t’ua ndalonte asistencën sociale dhe do ta largonte nga lista për deputete vajzën e tij përmes lidhjeve që kishte me subjektin politik në fjalë”, bëhet e ditur në komunikatë.

Në vendbanimin e të dyshuarit janë sekuestruar dëshmi që lidhen me rastin, e ndaj tij është iniciuar rast për veprën penale “cenim i përcaktimit të lirë të votuesve”.