Njëri nga të dyshuarit në rastin e vjedhjes në Shtime ku mbeti i vdekur një person e një tjetër u plagos, është kapur nga Policia e Kosovës.
Këtë e ka konfirmuar për Express majori i Stacionit të Policisë Rajonale të Ferizajt, Mehmetali Hajdini.
Ai ka thënë se i dyshuari është kapur në rajonin e Prishtinës ndërsa gjithashtu për të njëjtin rast janë bastisur edhe lokacione të ndryshme në Prishtinë dhe Pejë.
“Ai është arrestuar në rajonin e Prishtinës si i dyshuar i mundshëm. Jemi duke bërë kërkime tjera për persona të tjerë” tha ai por duke shtuar se nuk mund të jap më shumë informata për shkak të hetimeve.
Gjithashtu ai konfirmoi se ka filluar intervistimi i personit të dyshuar, i cili mundet t’i dërgojë rreth gjurmëve të personave të tjerë që janë të përfshirë në këtë rast.
“Pasi ta intervistojmë do të marrim hapa shtesë. Intervistimi ka filluar dhe është në procedurë” tha ai.