Fjalë Kyçe

Arrestohet zyrtari i Komunës së Fushë Kosovës që mori një veturë me qira dhe tentoi ta shiste për pjesë

Arrestohet zyrtari i Komunës së Fushë Kosovës që mori një veturë me qira dhe tentoi ta shiste për pjesë

Një zyrtar i Komunës së Fushë Kosovës është arrestuar nën dyshimin për mashtrim.

Kjo pasi pronari i një kompanie që ofron shërbimin e veturave me qira në Fushë Kosovë po pretendon se zyrtari i komunës së Fushë Kosovës, Ilir Krasniqi, e ka marrë me qira një veturë tek ta dhe më pas të njëjtën ka provuar ta shesë për pjesë tek një autoservis.

Arrestimin e tij e ka konfirmuar Policia e Kosovës gjatë ditës së sotme.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, nën dyshimin e bazuar se ka mashtruar viktimën mashkull kosovar, gjatë shit-blerjes së një veture. Pas intervistimit të palëve, me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thekson raporti.

Ndryshe, mbrëmë Gazeta Online Reporteri.net ka kontaktuar me pronarin e kësaj kompanie i cili e ka konfirmuar rastin.

Ai ka thënë se i dyshuari e ka marrë veturën me qira në kompaninë e tyre me datën 15 nëntor.

Pronari i Rent a Car ‘Galaxy’ Alban Hasani ka thënë se tashmë e kanë marrë veturën por sipas tij ka rezultuar të jetë paksa e dëmtuar. Tha tha se automjeti është gjetur në momentin e fundit, para se të demolohet.

“Pronari i servisit na ka kontaktuar për veturën, vetura është gjetur. Me këtë rast është marrë policia. Sa kam informacione unë ai është ndaluar për 48 orë”, ka thënë Hasani për Reporteri.net.