Një zyrtar policor është arrestuar të dielën pasi dyshohet se kishte shkaktuar aksident trafiku në rrugën Prishtinë-Fushë-Kosovë, në orët e vona të së shtunës.
Inspektorati Policor i Kosovës njoftoi se në aksident ka humbur jetën një person, e polici i arrestuar dyshohet për veprën penale “rrezikim i trafikut publik”.
Ndaj tij është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
“Pas pranimit të kësaj informate, IPK menjëherë i është përgjigjur rastit përderisa 5 personat e lënduar në këtë aksident janë dërguar për tretman mjekësor. Si pasojë e lëndimeve trupore një vozitës i njërit nga automjetet e përfshira në këtë aksident raportohet fatkeqësisht se ka humbur jetën sot. Bazuar në veprimet hetimore dyshohet se shkaktar i aksidentit është zyrtari policor i cili është arrestuar sot në orët e mbrëmjes me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale ‘rrezikim i trafikut publik’”, thuhet në njoftimin e IPK-së.
Inspektorati njoftoi se do të ndërmerren veprime të tjera në përputhje me autorizimit ligjore, në koordinim me prokurorinë.