Fjalë Kyçe

Arrihet marrëveshja e re për Brexitin

Arrihet marrëveshja e re për Brexitin

Një marrëveshje për Brexitin është arritur ndërmjet ekipeve negociatore të Britanisë së Madhe dhe Bashkimit Evropian, përpara takimit të liderëve evropianë në Bruksel, raporton BBC.

Këtë e ka konfirmuar kryeministri britanik, Boris Johnson, transmeton Koha.net.

“Kemi arritur një marrëveshje të re të madhe që e rikthen kontrollin”, ka shkruar Johnson në Twitter.

Të dy palët kanë punuar në tekstin ligjor të marrëveshjes, por ende duhet që kjo të marrë miratimin e të dy parlamenteve, të Britanisë dhe të Evropës.

Edhe presidenti në largim i Komisionit Evropian, Jean Claude Juncker, njoftoi për arritjen e marrëveshjes, duke thënë se negociatorët e BE-së dhe të Brianisë së madhe kanë arritur një marrëveshje që do të mundësojë daljen e vendit nga Bashkimi Evropian.

“Kur ka një vullnet, ka një marrëveshje dhe ne kemi një! Ashtë një marrëveshje e drejtë dhe e ekuilibruar për BE-në dhe Britaninë e Madhe” shkroi Juncker.

Afati për daljen e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian është 31 tetori.

Deri më tash palët kanë pasur mosmarrëveshje kryesisht për shkak të kontrolleve në kufirin irlandez, pas Brexit-it.

Një marrëveshje e negociuar nga ish-kryeministrja britanike, Theresa May, ishte refuzuar disa herë nga parlamenti britanik.