Kanë arritur në Kosovë 4,680 dozat e para të vaksinës anti-COVID të llojit Pfizer, pjesë e kontingjentit të 95 mijë vaksinave Pfizer që Bashkimi Evropian dhe Austria do t’i sjellë në Kosovë.
Lajmin e ka bërë të ditur Ambasada e Austrisë në Kosovë përmes një njoftimi për media.
“Ambasada Austriake në Prishtinë është shumë e gëzuar, që sot ka arritur në Prishtinë sasia e parë e 95.000 dozave të vaksinës BionTech/Pfizer, të cilat janë financuar nga Bashkimi Evropian, dhe janë siguruar nga Austria. Me 4.680 dozat që kanë arrit sot ka filluar furnizimi i Kosovës me vaksinat, të cilat do shpërndahen deri në fund të gushtit. Kjo do kontribuoj në përgatitjen e planit të vaksinimit, duke vaksinuar fillimisht personelin shëndetësor në front të parë si dhe grupet e rrezikuara”.
Furnizimi i Kosovës me 95,000 vaksina BioNTech/Pfizer është pjesë e një përpjekjeje të përbashkët të BE dhe Austrisë për të siguruar 651,000 doza BioNTech/Pfizer për Ballkanin Perëndimor, për të mbështetur rajonin në vaksinimin e personelit shëndetësor në front të parë si dhe persona nga grupe më të rrezikuara.
Austria ka lehtësuar dhe para-financuar transferimin e këtyre vaksinave, të cilat financohen nga paketa prej 70 milion €, e miratuar nga Komisioni Evropian për të financuar vaksinat në fjalë.
Këto vaksina u siguruan për partnerët e Ballkanit perëndimor në kuadër të negociatave paraprake të BE-së për furnizim me vaksina.