Ishin nisur nga Gjermania për të ardhur në Kosovë, por udhëtimi i tyre u ndalua të dielën kur autobusi me të cilin po udhëtonin u aksidentua rëndë në Kroaci.
Dhjetë udhëtarë humbën jetën derisa mbi 40 prej tyre u lënduan nga të cilët dy më rëndë.
Mirëpo dy ditë pas tragjedisë së rëndë, një pjesë e këtyre udhëtarëve tashmë kanë arritur në Kosovë ku janë pritur në aeroport nga familjarët.
Një qytetar nga Deçani kishte dalë të presë në aeroport gruan e vëllait dhe djalin e saj, përcjell Telegrafi.
“Na është dukur kohë e gjatë t’i shohim që kanë shpëtuar. Edhe familjarët e mi kanë pasur lëndime por falë Zotit kanë shpëtuar. Ata jetojnë në Shtutgard prej shumë vitesh”, tregon familjari.
Derisa familjarët po prisnin më të dashurit e tyre, policia e Kosovës është kujdesur t’i freskojë ata me ujë.