Skuadra londineze tani është skuadra më aktive në Premier Ligë duke shpenzuar afro 130 milion euro në këtë afat kalimtar të verës, duke llogaritur dy transferimet e fundit të Odegaard e Ramsdale që tani mungon vetëm zyrtarizimi.
Pas blerjeve, klubi londinez po synon të largoj disa lojtarë këtë verë që nuk janë në planet e menaxherit Mikel Arteta për sezonin e ri.
Fabrizio Romano raporton se Arsenal është duke shpresuar që të gjej një zgjidhje për Willian, i cili dëshiron të largohet nga klubi që nga maji i këtij viti.
Përpos Willian, klubi pret oferta nga klubet e tjera edhe për Bellerin e Torreira, që gjithashtu dëshirojnë largimin nga klubi.
Disa ditë më parë ishte spekuluar se skuadra nga Egjipti, Al Ahly ishte afër transferimit të Willian, megjithatë Romano i ka mohuar këto spekulime, duke thënë se nuk kishte asnjë negociatë mes dy klubeve.
Kujtojmë se deri tani klubi londinez ka shitur Joe Willock në drejtim të Newcastles, për shumën e rreth 25 milion funteve.