Fjalë Kyçe

Arsimi i lartë falas, studentët ankohen se po detyrohen të bëjnë pagesa për të hyrë në provim të cilat më parë nuk i bënin

Arsimi i lartë falas, studentët ankohen se po detyrohen të bëjnë pagesa për të hyrë në provim të cilat më parë nuk i bënin

Pagesat administrative të shtuara me Udhëzimin e ri Administrativ, për studentët e regjistruar në universitete publike në Kosovë kanë nxitur reagimin e studentëve të cilët më shumë se një muaj më parë morën lajmin nga Qeveria e Kosovës se arsimi për nivelin e lartë do të jetë falas.

Deri tani, studentët e universiteteve publike nuk paguanin për të hyrë në provimet në nivelin bachelor, por me udhëzimin e ri administrativ ata duhet të paguajnë një euro për secilin provim që e paraqesin për herën e dytë e tutje.

Po ashtu, secili studentë që përsërit semestrin, duhet të paguaj tarifën e paraparë sipas këtij UA.

Udhëzimin e ri Administrativ për aplikimin e pagesave të studentëve në institucionet publike të arsimit të lartë

Studentët po ankohen se tani po shpenzojnë më shumë sesa që po kursehen, për shkak të pagesës së provimeve.

Jeton Demaj përfaqësues i organizatës “Unioni Demokratik Studentor”, një deklaratë me shkrim për Telegrafin ka thënë se e kanë mirëpritur vendimin për arsim publik falas, por janë zhgënjyer pasi kanë parë se u janë shtuar pagesa që nuk i kanë bërë më parë.

“Ne si organizatë studentore e kemi mirëpritur vendimin fillestar për arsim publik falas, mirëpo jemi kundër pagesave që janë shtuar e që nuk kanë ekzistuar më parë. Ne ndihemi të mashtruar nga Qeveria sepse në shtator u prezantua vendimi për arsimi publik falas, kurse Udhëzuesi Administrativ parasheh pagesa të tjera, që parimisht nuk ka kurrfarë lehtësimi për studentët”, tha Demaj për Telegrafin.

Tutje, ai ka treguar se para këtij vendimi, studentet e nivelit master kanë paguar për çdo provim 2.5 euro (shto këtu 0.50 euro provizione) ndërsa në bachelor nuk kanë paguar për provime.

“Edhe pse të gjithë studentët ju gëzuan lajmit se tanimë nuk do ketë pagesa të tilla, Udhëzuesi i ri Administrativ i ka lënë ne fuqi pagesat për provime të nivelit master si dhe ka shtuar pagesa për nivelin bachelor prej 1 euro për çdo provim që paraqitet për herë të dytë e tutje (shto këtu 0.50 për provizione)”, tha ai.

Tutje, ai shtoi se si Union Demokratik Studentor kërkojnë të largohen këto pagesa dhe të realizohet vendimi për arsim publik falas ashtu siç u prezantua fillimisht nga Kryeministri dhe Ministrja e Arsimit.