Ideja përshkëmbimin e territoreve ndërmjet Serbisë e Kosovës përkatësisht për “kufiziminndërmjet serbëve e shqiptarëve”, sikundër e quan Aleksandër Vuçiqi, ështëtentativë për të eliminuar kapitullin 35 në negociatat BE-Serbi dhe Marrëveshjene Brukselit të 19 prillit 2013. Pse? Sepse me politikat aktuale neo-fashiste të qeverisë serbe, kapitulli 35 ku është futur normalizimi i marrëdhënieve dhe arritja e një “marrëveshjeje gjithëpërfshirëse” ndërmjet Serbisë e Kosovës, nuk mund të përmbushet kurrë. Ndërsa në kornizën e negociatave të Bashkimit Evropian me Serbinë, të nëntorit 2014, normalizimi i marrëdhënieve dhe arritja e një marrëveshjeje obligative, është shndërruar në normë. Sipas kornizës, nëse ka ngecje në këtë kapitull, atëherë mund të bllokohen edhe kapitujt e tjerë. Po ashtu, sipas kornizës, Komisioni është i obliguar që dy herë në vit ta njoftojë Këshillin mbi ecurinë në procesin e normalizimit të marrëdhënieve Serbi-Kosovë.
Thënë thjesht, kapitulli 35 është pengesë e pakapërcyeshme për Serbinë, me politikat e saj neo-fashiste që ka ndaj Kosovës. Në periudhën kur Serbia është dashur të ishte e fokusuar në procesin e normalizimit, për të përmbushur kapitullin 35, ajo ka zhvilluar një seri provokacionesh ndaj Kosovës, me murin ndarës në Mitrovicë, me trenin rus, me hyrjet ilegale dhe në kundërshtim me Marrëveshjene Brukselit të zyrtarëve serbë në territorin e Kosovës dhe me obstruksionet e Listës Srpska në institucionet e Kosovës. Ditëve të fundit kryeministrja serbe, Ana Bernabiq, ka kërcënuar edhe me përdorimin e ushtrisë! Në këtë linjë tëpresionit permanent, presidenti i Serbisë dhe qeveria e tij, kanë zbuluar një shteg për ta anashkaluar disi kapitullin 35, duke e futur në agjendë idenë e shkëmbimit të territoreve, me çka edhe Marrëveshja e Brukselit do të bëhej e pavlefshme. Si duket qeveritarët serbë ose nuk e kanë kuptuar në kohë esencën e vMarrëveshjes së Brukselit, ose i kanë rënë pishman pas nënshkrimit të saj, sepse ajo marrëveshje e përjashton kategorikisht ndarjen e Kosovës dhe e dyta, e pamundëson formimin e asociacionit të komunave serbe me kompetenca ekzekutive.
Faktikisht, marrëveshja e Brukselit e ka theksin tek integrimi i komunitetit serb në institucionet e Kosovës (policia, gjyqësia, etj.), duke pasur si kompensim formimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, pas verdiktit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Mirëpo, në këtë pikë Serbia ka dalë humbëse ngase mandatin e asociacionit e ka menduar me kompetenca ekzekutive, por meqë e ka pranuar se vlerësimin final të statutit e bën Gjykata Kushtetuese e Kosovës,e ka davanë të humbur. Prandaj kanë kaluar në idenë e shkëmbimit të territoreve, për ta fshehur dështimin lidhur me kompetencat ekzekutive të asociacionit të komunave serbe! Mirëpo, ky ndryshim mbetet në kundërshtim të plotë me Marrëveshjen e Brukselit.
Prandaj qëndrimi hipokrit i Brukselit ndaj pretendimeve të reja serbe, të cilat janë në kundërshtim me Marrëveshjen e Brukselit është i pakuptueshëm. Arsyeja e kësaj hipokrizie si duket sërish është e lidhur me problemin e kapitullit 35 tënegociatave BE-Serbi. Edhe Brukseli është bindur se kjo Serbi neo-fashiste kurrë nuk mund ta përmbush atë kapitull, pasi nuk ka asnjë vullnet, ndaj duan t’ia hapin një deriçkë që Serbia të ecën tutje në rrugën e integrimit, pa e pasur si kusht normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Vetëm kjo taktikë mundta shpjegojë heqjen dorë të Bashkimit Evropian nga Marrëveshja e Brukselit, të cilën vetë e ka lehtësuar, si dhe nga kapitulli 35 të cilin vetë ia ka imponuar Serbisë.
Në këto lojëra të pista e hipokrite të Beogradit e të Brukselit, institucionet e Kosovës nuk do të duhej të participonin me asgjë. Pra, as me idenë e bashkimit të Luginës së Preshevës, sepse edhe ajo ide është kundër frymës së Marrëveshjes së Brukselit dhe e dyta, ngase pashmangshëm do të futej në skemën e pretendimeve serbe për shkëmbim territoresh. Meqë propozimi serb për shkëmbim ose për kufizim ndëretnik ende është në lojë, tash i plotësuar edhe me rebelimin e serbëve në veri të vendit (dorëheqjet e kryetarëve të katër komunave janë pjesë e këtij skenari) institucionet shtetërore të Kosovës duhet të tregojnë maturi dhe qartësi maksimale. Njëra nga pikat e forta të asaj maturie e qartësie është ri-afirmimi i termave të Marrëveshjes së Brukselit, e cila e përjashton idenë e ndarjes së Kosovës dhe e thekson ri-integrimin e serbëve në institucionet e Kosovës. Në këtë plan, duhet të kërkohet me insistim të madh që Brukseli t’u përmbahet qëndrimeve të mëhershme lidhur me atë marrëveshje e të mos bëjë relativizimin e saj, sepse në atë rast bëhet përgjegjës për eskalimin eventual të krizës. Bile edhe vonesa dhe jo-transparenca e Brukselit lidhur me draftin e statutit të asociacionit të komunave serbe është pjesë e kësaj përgjegjësie. Natyrisht, vonesa e hapjes së Urës së Ibrit është simbol i hipokrizisë së Brukselit. Në këtë frymë, Bashkimit Evropian duhet t’i përkujtohet se është përgjegjës edhe para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, e cila me rezolutën A/RES/64/298 të 9 shtatorit 2010 e ka ngarkuar me përgjegjësi për procesin e negociatave ndërmjet Kosovës e Serbisë. Këtë dimension të përgjegjësisë BE-ja si duket sikur e ka harruar, e preokupuar së tepërmi me dobësitë e veta, të cilat po i manifeston keqas edhe në Ballkanin Perëndimor. (9 dhjetor 2018)