Mikel Arteta ka deklaruar se Arsenali është klubi më i madh në Angli dhe synon ta rikthejë formën më të lartë të skuadrës së tij të re.
Arteta zëvendësoi trajnerin Unai Emery në krye të Arsenalit, pas një fillimi jo të mirë këtë edicion, transmeton Koha.net.
“Duhet të lidhim sërish ekipin me tifozët. Ndjej se në sezonet e fundit ka pasur një shkëputje të madhe dhe ne po humbim shumë fuqi. Më parë e kam thënë se ata ndoshta janë pjesa më e rëndësishme e një klubi të futbollit dhe ne duhet të jemi në gjendje të transmetojmë se çfarë duam të bëjmë me ekipin”, u shpreh Arteta.
Ai shpreson se një gjë e tillë të nisë qysh nga derbi i sotëm lokal ndaj Chelseat, derisa theksoi se Arsenali duhet të luajë më me arrogancë pasi është klubi më i madh anglez.
“Ne jemi klubi më i madh në Angli dhe duhet të luajmë paksa me atë arrogancë, atë besim. Ky stadium duhet të krijojë frikë sërish. E urreja të vija këtu si kundërshtar dhe duhet ta shfrytëzojmë atë fuqi”, ka deklaruar ai.
Nga ora 15:00 sot Arsenali e pret Chelsean.