Fjalë Kyçe

As rrethojat nuk i ndalin këmbësorët të kalojnë në vendkalimin e vjetër tek “Fehmi Lladrovci”

As rrethojat nuk i ndalin këmbësorët të kalojnë në vendkalimin e vjetër tek “Fehmi Lladrovci”

Muaj më parë, për të lehtësuar punën e autoambulancave, Komuna e Prishtinës vendosi semafor në rrugën “Fehmi Lladrovci”.

Edhe zebrat për këmbësorë u zhvendosën nga Shkolla e Mjekësisë pranë semaforëve tek Urgjenca.

Por, njëjtë sikurse mbikalimi, edhe vendkalimi i ri mbeti pa u shfrytëzuar nga qytetarët.

Komuna e Prishtinës këtë javë vendosi edhe rrethoja për t’i ndaluar qytetarët të kalojnë rrugën në pjesën e vjetër.

Mirëpo, as ato nuk i kanë ndalur qytetarët, të cilët kanë gjetur mënyra për të kaluar pranë e duke ecur edhe në rrethrrotullim.

Disa kalimtarë aty thonë se nuk e kanë parë të jetë zhvendosur zebrat nga aty dhe se po kalojnë si çdo herë tjetër. Më të moshuarit thonë se vendkalimi i ri është më larg dhe nuk po mund të ecin deri aty.

Ndërsa, më të rinjtë, edhe nuk pranonin që të flisnin.

Disa qytetarë po e shohin si një veprim shumë të mirë, pasi kështu edhe do të jenë më të sigurt.

Përveç semaforëve, disa prej kalimtarëve po e shfrytëzojnë edhe mbikalimin.

Por, kundërmimi dhe mbeturinat janë të shumta, thonë kalimtarët.

Ndërsa, disa nga ngasësit mendojnë se semaforët po e bllokojnë edhe më shumë komunikacionin dhe është dashur vetëm mbikalimi të shfrytëzohet për këtë gjë.

E, Komuna thotë se vendosja e këtyre rrethojave është bërë për sigurinë e qytetarëve, e po ashtu për t’u liruar komunikacioni.

“Mendohet që kjo të ndikojë për sigurinë e këmbësorëve dhe qarkullimin e automjeteve”, tha Medina Braha, Drejtoreshë e shërbimeve publike në Prishtinë, në emisionin 038.

Ndërsa, për të parandaluar kalimin e këmbësorëve edhe përreth rrethojave, ajo tregon se ka një zgjidhje.

“Akoma nuk ka përfunduar, është pjesë tek rrethi që do të bëhet një kufizim, ishull i vogël siç e kemi bërë në rrethe të tjera. Do zgjatet rrethoja që ta pamundësojë kalimin e këmbësorëve”, tha Braha.

Drejtoria e Brahës është kritikuar edhe për pamjen e rrethojave të vendosura këtu.