Fjalë Kyçe

Askush nuk ka përgjigje për shkakun e ngordhjes masive të peshqve në Mirushë

Askush nuk ka përgjigje për shkakun e ngordhjes masive të peshqve në Mirushë

Vetëm dhjetë muaj pasi kishte ndodhur një ngordhje masive e peshqve në lumin Mirusha, e njëjta situatë është përsëritur, por në pjesën e poshtme të rrjedhës së lumit, përkatësisht në kanionin dhe ujëvarat e Mirushës.

Sasia e peshqve të ngordhur, sipas banorëve, është e madhe, përderisa thonë se nuk dinë shkakun e saj, raporton KTV.

Abdullah Paqarizi nga Shoqata e peshkatarëve “Sykuqi”, thotë se kjo gjendje ka alarmuar banorët e kësaj ane.

Peshkatarët fajësojnë institucionet për moskujdes ndaj natyrës, duke lejuar degradimin e saj.

Në vendngjarje kane dalë edhe inspektorët komunalë të Malishevës dhe ata të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Inspektorët komunalë kanë marrë mostrat e ujit dhe të peshqve, për t’i kryer analizat e nevojshme, në mënyrë që t’i zbulojnë shkaqet e ngordhjes së peshqve.

Në Ministrinë e Mjedisit pohojnë se gjendja është shqetësuese.

Analiza të njëjta ishin bërë edhe vitin e kaluar, kur po ashtu kishte ngordhje të këtyre gjallesave ujore në lumin Mirusha. Në ato analiza u konstatua se uji ishte i pastër por gjendja në terren ishte krejtësisht ndryshe.