Fjalë Kyçe

“Asnjëherë nuk e kam dashur” – futbollisti turk pranon që ka vrarë djalin e tij pesëvjeçar

“Asnjëherë nuk e kam dashur” – futbollisti turk pranon që ka vrarë djalin e tij pesëvjeçar

Ish-futbollisti i ligës elitare turke, Cevher Toktas, e ka pranuar se e ka mbytur me jastëk djalin e tij pesëvjeçar, 11 ditë pasi zyrtarët turq kishin njoftuar se fëmija kishte vdekur nga coronavirusi.

Toktas e kishte dërguar të birin, Kasim, në spital më 23 prill, për shkak kollit dhe temperaturës së lartë dhe të dy ishin futur në karantinë pasi kishin shfaqur simptoma të zakonshme të Covid-19.

Ditë më vonë, 33-vjeçari i kishte thirrur mjekët nga dhoma e të birit duke thënë se Kasim kishte probleme me frymëmarrje. Fëmijën e kishin vendosur në dhomën e kujdesit intensiv, ku ka vdekur më vonë. Ishte thënë zyrtarisht se ai kishte vdekur si pasojë e pandemisë botërore dhe ishte varrosur.

Megjithatë, Toktas e pranon tani se e ka mbytur djalin e vetë duke ia zënë frymën me jastëk me dy duart e tij.

Mediat turke raportojnë se Toktas është vetëdorëzuar në polici dhe ka deklaruar se kurrë nuk e kishte dashur djalin e vet dhe se e ka mbytur me dy duart e veta në spital.

Në deklaratën zyrtare në polici, Toktas ka thënë: “E vendosa jastëkun mbi djalin tim që ishte i shtrirë në shpinë. Për 15 minuta, e rëndova jastëkun përsipër tij pa ndërprerë. Djali im vuajti gjatë asaj kohe. Pasi i ndali lëvizjet, e largova jastëkun. Pastaj bërtita duke i thirrur doktorët në mënyrë që askush të mos dyshonte tek unë”.

“Unë kurrë nuk e kam dashur djalin tim pasi lindi. Nuk e di pse nuk e dua. Arsyeja e vetme pse e vrava atë, atë ditë, është se nuk më pëlqente. Nuk kam probleme mendore”, ka shtuar më tej ai.

Toktas, i cili ishte vetëdorëzuar në polici pasi kishte ndier pendesë për veprimet e veta, është arrestuar dhe po e pret gjykimin, ndërsa trupi i djalit të tij është nxjerrë nga varri për autopsi të re.

Pak ditë para se ta pranonte se e ka vrarë të birin, Toktas e kishte postuar një fotografi të varrit të Kasim në Facebook, me mbishkrimin: “Mos u var në botën”.

Toktas ka luajtur këtë sezon për Bursa Yildirimsport në Ligën Rajonale Amatore të Turqisë.