Kryeministri i Australisë, Scott Morrison ka dënuar deklaratat e bëra nga presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan pas masakrës në Zelandë të Re, duke paralajmëruar se vendi i tij do të konsiderojë “gjitha opsionet” për shqyrtimin e raporteve me Turqinë.
“Deklaratat e bëra nga presidenti turk Erdogan unë i vlerësoj shumë ofenduese ndaj australianëve dhe të pamatura në këtë situatë shumë të ndjeshme” tha kryeministri Morrison.
Presidenti turk Erdogan më herët tha se australianët anti-myslimanë do të “ktheheshin në arkivole” si gjyshërit e tyre në Gallipoli (Çanakalaja), vend i një beteje të përgjakshme të Luftës së Parë Botërore.
Më shumë se 8.000 ushtarë australianë dhe të Zelandës së Re vdiqën duke luftuar kundër forcave turke pranë qytetit bregdetar dhe beteja konsiderohet një ngjarje e madhe në historitë e të dy vendeve.
Qytetarët e të dy vendeve çdo vit udhëtojnë në muajin prill në Gallipoli për të shënuar përvjetorin e betejës.
Kryeministri Morrison tha se Erdogan ka fyer kujtimin ndaj ushtarëve australianë dhe të Zelandës së Re.
“Unë pres, dhe unë kam kërkuar, që këto komente të qartësohen, të tërhiqen”, tha Morrison.
Një 28 vjeçar australian, i cili besohet të jetë një supremacist i bardhë, është akuzuar për vrasje në sulmet masive të 15 marsit në dy xhami në Zelandën e Re, që lanë të vdekur 50 vetë.
I dyshuari shkroi një manifest që përfshinte tone anti-myslimane.