Ministria e ka realizuar konkursin për Udhëheqës i Divizionit të Inspektimit të Autoshkollave.
Inspektimi i Autoshkollave të Kosovës do të jetë në dorë të njërit të partisë së kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.
Imer Thaçi i cili vjen nga strukturat e larta të AAK-së është përzgjedhur Udhëheqës i Divizionit të Inspektimit të Autoshkollave, në konkursin e hapur nga ministria e Infrastrukturës që udhëhiqet nga Pal Lekaj, shkruan lajmi.net.
Pikët që grumbulloi ai nga komisioni i ministrisë ishin 745.5, derisa la pas Ekrem Veselin e Mexhid Demin.
Lajmi.net ka gjetur se për një mandat 2014- 2017, Thaçi ka qenë shef i grupit të asamblistëve të AAK-së në Kuvendin Komunal të Deçanit. Pasi i kishte përfunduar mandati i asamblistit, kishte arritur të rekrutohej në ministrinë e Infrastrukturës.
Në një konkurs të rregullt në maj të vitit 2018, ishte përzgjedhur Inspektor i Infrastrukturës Rrugore në Ministrinë e Infrastrukturës që drejtohet nga partia e tij.
Në qershor të vitit të kaluar, në Kuvendin e VII zgjedhor të AAK-së, ai ishte zgjedhur anëtar i Këshillit Drejtues të AAK-së.
Lajmi.net ka kërkuar përgjigje nga ministria e Infrastrukturës lidhur me atë, nëse ministri Lekaj ka shfaqur autoritetin në këtë konkurs, pasi i përzgjedhuri është pjesë e strukturave të larta të partisë së tij, por kjo ministri nuk ka kthyer përgjigje, sikundër nuk janë përgjigjur edhe lidhur me atë, se nëse Thaçi e ka përvojën e punës prej 5 viteve, siç është kërkuar në konkurs.
Sipas konkursit, detyrat dhe përgjegjësitë e Udhëheqësit të Divizionit të Inspektimit të Autoshkollave janë:
Udhëheqë punën e gjithëmbarshme të divizionit dhe ndihmon mbikëqyrësin në caktimin e objektivave dhe hartimin e planit të punës për përmbushjen e këtyre objektivave.
Inspekton dhe konstaton gjendjen momentale të auto shkollave të licencuara si dhe a janë duke ju përmbajtur planprogramit të paraparë me akte ligjore.
Rekomandon dhe udhëzon auto shkollat për përmirësimin dhe eliminimin e të metave të cilat vërehen gjatë inspektimit.
Inspekton lokalet, pajisjet, automjetet, instruktorët në teren dhe mbajtjen e evidencave dhe dokumentacionit administrativ i cili duhet të mbahet gjatë kryerjes së punëve të përditshme në auto-shkolla.
Ndërprenë punën e auto-shkollave të cilat veprojnë në kundërshtim me dispozitat e ligjit në fuqi dhe akteve nën ligjore të cilat rregullojnë këtë sektor.
Inicon procedurën për revokimin e licencës së auto-shkollës në rast se nuk vazhdon t’i përmbahet kushteve të parapara për licencim.
Inicion procedurat konform legjislacionit në fuqi në gjykatën me kompetencë përkatëse.