Fjalë Kyçe

Avdullah Hoti thotë se ai ka vota sa Vjosa Osmani

Avdullah Hoti thotë se ai ka vota sa Vjosa Osmani

Kryeministri Avdullah Hoti ka thënë se në këtë koalicion qeverisës përfaqëson LDK-në njëlloj si në koalicionin e kaluar me Vetëvendosjen ku ishte zëvendëskryeministër, që më pas u shkarkua nga ish-kryeministri Albin Kurti.

“Në koalicionin e kaluar qeverisës kam përfaqësuar LDK-në, ndërkaq në këtë koalicion që kemi ndërtuar përfaqësoj LDK-në si kreu i qeverisë. E kam mbështetjen e LDK-së dhe përfaqësoj mbi 200,000 vota të LDK-së. Votat e secilit nga ne që garojmë në listën e LDK-së janë vota të subjektit politik, sepse në kërkojmë besimin e qytetarëve me platformën dhe programin qeverisës të LDK-së. Më pas, brenda listës rangimi i kandidatëve kush sa vota merr është renditje relative brenda listës së LDK-së”.

Hoti në një intervistë në Klan Kosova ka thënë se mbi 176 mijë votat që Vjosa Osmani kishte marrë në zgjedhjet e kaluara, për të cilat ishte shumë e zëshme, janë një dukuri e zakonshme për bartësin e listës.

Madje, ai ka thënë se njëlloj si Vjosa Osmani kishte marrë edhe ai vota kur ishte bartës i listës si kandidat për kryeministër në zgjedhjet e vitit 2017.

“Ashtu siç kam marrë unë më së shumti vota në vitin 2017, sepse kam qenë bartës i listës dhe kam përfaqësuar frontalisht listën e LDK-së tash në zgjedhjet e fundit kemi ndërtuar një listë të cilës i ka prirë Vjosa Osmani me një fushatë mjaft dinamike”.

“Është e natyrshme që bartësi i listës e ka barrën kryesore për t’i prirë fushatës së LDK-së. Me bartësin e listës identifikohet partia politike”.

Hoti ka thënë se për LDK-në është shumë e rëndësishme kur bartësi i listës konfirmohet fuqishëm nga votuesit e vet.