Fjalë Kyçe

Avokati flet për akuzat ndaj ish-klientit të tij, për vrasjen e Oliver Ivanoviqit

Avokati flet për akuzat ndaj ish-klientit të tij, për vrasjen e Oliver Ivanoviqit

Avokati Mahmut Halimi ka folur për akuzat e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq dhe të mediave më të mëdha serbe, të cilët e ngarkojnë ish-klientin e tij, Florim Ejupin si vrasës të Oliver Ivanoviqit.

Halimi këto akuza të rënda i ka quajtur trillim dhe çorbë të Beogradit, që siç tha ai, nuk po mund të dalë kurrsesi nga përgjegjësia për vrasjen e Ivanoviqit.

“Unë Florimin e kam pasë klient. S’ka kurrfarë procedure kundër tij. Akuzat ndaj tij janë çorbë e Beogradit që nuk po mund të dalë kurrsesi nga përgjegjësia për vrasjen e Ivanoviqit, e po përpiqet me metoda dhe mënyra të tilla të cilat veçse janë të njohura. Kjo s’është kurrfarë risie, bash kurrfarë risie nuk është. Ky është një trillim i kulluar”, ka thënë avokati në një prononcim për Insajderin.

Ai ka treguar se ish-klienti i tij tashmë është duke u marrë me jetën e tij dhe nuk merret fare me këto akuza.

“Njeri është duke u marrë me punët e veta, me jetën e tij, njëherë e përgjithmonë i ka qitë mbrapa shpine akuzat. E kanë vërtetu të gjitha instancat pafajësinë e tij, e ata e quajnë bombash. Absolutisht nuk ka të bëjë me këtë punë. Ai i ka hallet e veta njeri. Ish-klienti im është duke e vazhdu jetën e vet dhe s’merret me këtë punë hiç”, ka thënë Halimi.

Sipas avokatit, kur edhe presidentit i vendit (Vuçiqi) prononcohet dhe përzihet në interesin e hetimeve, dihet se çfarë qëndron prapa.

“Bëhet fjalë për një shtet kriminal ku inkorporohet edhe kryetari i shtetit, prononcohet edhe përzihet në interesin e hetimeve. Duhet me ditë çka ka aty dhe çfarë qëndron mbrapa. Më tepër është politika sesa hetimet”, ka thënë Halimi.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka përmendur Florim Ejupin si të akuzuar për vrasjen e ish-politikanit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviq.

Florim Ejupi në vitin 2008 ishte denuar me 40 vjet burg si pergjegjës per venien e eksplozivit në një autobus me shtetas serbë, por ndaj tij nuk kishte prova te mjaftueshme.

Kështu, një vit më pas, më 2009, nje trup gjykues i EULEX-it e shpalli Ejupin të pafajshëm duke urdheruar lirimin e tij.