Tomë Gashi, avokati i familjes Dehari, ka kërkuar nga Prokuroria Speciale që t’i lejohet pjesëmarrja gjatë intervistimit të deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi.
Deputeti Abazi ka akuzuar rëndë të enjten partinë e tij në pushtet, duke thënë se ekzistojnë video-incizimet ku shihet se kush i ka zhdukur mostrat e aktivistit Astrit Dehari.
Prokuroria Speciale e ka ftuar për intervistim Abazin. Ka thënë se intervistimi i deputetit do të realizohet të martën.
Ndërkaq, avokati Tomë Gashi ka dorëzuar sot kërkesë në Prokurorinë Speciale për t’iu lejuar prezenca gjatë procesit intervistues të deputetit Abazi.
“Ne cilesin e perfaqesuesit juridik te familjes Dehari sot me shkrim kam kerkuar qe te marr pjese gjat marrjes ne pytje te tije ne Prokurori”, ka thënë sot avokati Gashi.
“A do te na theras Prokuroria apo jo e marrim vesh neser”, ka thënë ai.
Haki Abazi, në një konferencë për media të enjten, ka folur për disa video-incizime, të cilat sipas tij, “konfirmojnë se kush i ka mostrat e rastit Dehari”.
“Video-incizimet janë ato që duhet t’i kërkoni për të konfirmuar se kush i ka zhdukur mostrat e Astrit Deharit. Hulumtimi im i fundit ka sjell te shkarkimi nga posti i kryetarit të Komisionit të Jashtëm dhe anatetimi brenda Vetëvendosjes. Shkarkimi im është minor kundrejt borxhit për të marrë vesh se çfarë ka ndodhur me rastin Dehari. Si është e mundur që në pushtetin e VV-së të zhduken mostrat e Deharit dhe kryeministri Kurti të mos ta thotë asnjë fjalë. Ne si shoqëri, si deputet, nuk mund të rrimë të heshtur përballë një procesi të këtillë. Ne duhet ta kryejmë punën tonë për ta kryer këtë deri në fund. Dihet qartë se kush ka hyrë te frigoriferi e ka nxjerr mostrat që kanë qenë të vendosura nën mostrat e tjera. IML-ja është 24 orë e monitoruara me kamera”, ka thënë ai në konferencë për media të enjten”, ka thënë Abazi