AVONET, shpreh shqetësimin e thellë lidhur me gjendjen e infrastrukturës rrugore e cila është rënduar anembanë vendit dhe po rëndohet edhe më tej si rezultat i punimeve jocilësore dhe mirëmbajtjes jo të duhur.
Në komunikatën për media thuhet se qytetarët përmes taksës rrugore gjatë regjistrimit të automjetet paguajnë dhe kjo për shumë qytetarë përveç ngarkesës financiare nuk po i sjell siguri dhe komoditet gjatë pjesëmarrjes në komunikacion.
“Duke qenë vlerësim i pjesës dërmuese se përmirësimi i infrastrukturës rrugore është parakusht i zhvillimit ekonomik, i bëjmë thirrje të gjitha institucioneve të shtojnë kujdes të veçantë në mbikëqyrje n e ngritjes së cilësisë së punimeve të infrastrukturës rrugore si dhe mirëmbajtjes së rrugëve”, thuhet në komunikatë.
Sipas reagimit të AVONET, ekzekutimi i punimeve në infrastrukturë rrugore është shumë i dobët dhe jocilësor.
Nga AVONET kanë kërkuar nga Ministria e Mjedisit që sa më parë të themelojë një komision për vlerësimin e gjendjes së rrugëve.
“Është pajtueshmëri e përgjithshme se në Republikën e Kosovës, ekzekutimi i punimeve në infrastrukturë rrugore është shumë i dobët dhe jocilësor dhe si rezultat kemi dëmtime të shpejta të rrugëve të cilat për tu sanuar le vetëm që e rëndojnë buxhetin e Republikës së Kosovës, por paraqesin edhe rrezik të madh në komunikacion. Kërkojmë nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës që sa më parë të themelojë një komision dhe të bëjë vlerësimin e gjendjes së rrugëve, Komision ky i cili në përbërje duhet të ketë profesionistë të fushës dhe përfaqësues nga shoqëria civile”, thuhet më tej në reagim.