Një ngjarje skandaloze ka ndodhur gjatë ditës së djeshme në një prej institucioneve kryesore të shtetit të Kosovës, ku dyshohet se janë vjedhur mbi dy milionë euro. E në fakt e gjithë ngjarja që ndodhi në fillim të këtij muaji, u hetua nga punëtorë të Ministrisë së Infratrukturës, të cilët kishin vërejtuar një transaksion të dyshimtë.
Kjo u konfirmua sonte në Debat Plus, nga ministri i këtij dikasteri, Arban Abrashi, i cili ka thënë se mjetet që u vodhën, kanë qenë ato që duhej të shkonin pikërisht në këtë institucion, por që mungonin.
“Zyrtarët e Ministrisë e kanë vërejtur një transaksion të dyshimtë i cili nuk është përputhur me asnjë projekt dhe që iu mungojnë mjete nga projekte tjera. Posa është vërejtur këtë transaksion kemi njoftuar Thesarin dhe organet tjera të sigurisë”, ka thënë ai, përcjell Gazeta Metro.
E pas kësaj, menjëherë në konferencë ka dalur ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, e cila tha se mungon kjo shumë e konsiderueshme e parave nga thesari i shtetit.
Për gjithë këtë rast dyshohet se fajtor është zyrtari Labinot Gruda, i cili raportohet se me datë 09.10.2020, ka realizuar transaksionet në mënyrë të kundërligjshme në llogarinë bankare të kompanisë “LDA Group” Sh.P.K”.
Gruda është dorëzuar në polici dhe sot është paraqitur para Gjykatës ku deklaroi se është i pafajshëm dhe se ka punuar bashkë me 12 persona të tjerë në zyrë, e që sipas tij, transaksionet mund të ishin kryer nga secili aty, shkruan Gazeta Metro.
Veç Grudës, të dyshuar për marrjen e parave janë edhe Kadri e Valon Shala, pronarë të kompanisë së lartëpërmendur, të cilët dyshohet se vetëm e kanë tërhequr një pjesë të parave dhe janë duke qëndruar në Turqi.
Lidhur me këtë rast mjaft të ndjeshëm, ka pasur reagime të shumta në opinion publik, teksa nga Lëvizja Vetëvendosje kanë kërkuar dorëheqjen e ministres Hykmete Bajrami.