Fjalë Kyçe

Babai i Donjeta Pajazitaj para Gjykatës, tregon për letrat që i kishte marrë e bija para se të vritej

Babai i Donjeta Pajazitaj para Gjykatës, tregon për letrat që i kishte marrë e bija para se të vritej

Të premten, në Gjykatën Themelore në Ferizaj, është mbajtur shqyrtimi gjyqësor, ndaj të akuzuarit Naser Pajazitaj, i cili po akuzohet se ka kryer veprën penale “vrasje e rëndë” nga neni 179 par.1 pika 1.4 dhe 1.2 të KPRK-së si dhe për veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374 par.1 të KPRK-së.

Në këtë seancë, është dëgjuar në cilësi të dëshmitarit babai i Donjeta Pajazitaj, Halil Pajazitaj, i cili deklaroi se me të akuzuarin Naser Pajazitaj janë kushëri në shkallë me të largët, dhe se me të njëjtin pas ditës kritike, të nesërmen ishin takuar ku i njëjti i kishte thënë se e ndjera Donjeta Pajazitaj  ishte martuar me një katolik, ndërsa theksoi se e njëjta rrethanë nuk i kujtohej mirë për shkak të sëmundjes së sheqerit, por duke mbetur pranë deklarimeve të tij të dhëna në polici, prokurori dhe në gjykatë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Megjithatë, babai i Donjetës, Halil Pajazitaj deklaroi se përderisa ka qene duke u zhvilluar procedura ndaj Naser Pajazitajt, ata kanë pranuar dy letra, dhe atë letrën e parë në banesë në Pejë ku ishin vendosur përafërsisht 1 vit pas vdekjes së Donjetës, ku në atë letër shkruante se e ndjera Donjeta Pajazitaj kishte ngelur shtatzënë me Hysni Pajazitajn, ndërsa i njëjti për të mos e kuptuar gruaja e tij i kishte dhënë 5 mijë euro Naserit për ta vrarë Donjetën, dhe letrën e dytë theksoi se e ka pranuar në fshatin Strellc, ku nuk i kujtohej saktë se çfarë shkruante.

Seanca e radhës është caktuar më 12 dhe 22 tetor 2020.

Sipas aktakuzës së ngritur më 08.06.2017 nga prokurorja e shtetit Valbona Disha Haxhosaj, ai po dyshohet se më 09 nëntor 2015, në bjeshkët e Strellcit Komuna Deçan e pikërisht në vendin e quajtur te “Kroni i Lajthisë“, i pandehuri edhe pse më parë ka qenë i dënuar për vrasje, me dashje dhe me armë dhe atë revole të tipit të panjohur në mënyrë mizore e ka privuar nga jeta viktimën Donjeta Pajazitaj nga po i njëjti fshat, në atë mënyrë që derisa viktima ditën kritike ka qenë duke shkuar në punë në këmbë së bashku me axhën e saj dhe kur kanë arritur tek bunari i fshatit janë ndarë, ashtu që viktima ka vazhduar rrugën në drejtim të Strellcit të Epërm dhe kur afrohet përafërsisht 150 metra afër shtëpisë së Nedi Jusaj, aty pari kalon i pandehuri Naser Pajazitaj me veturën e tij të tipit xhip sheroke me ngjyrë të kaltër i cili ndalet e merr viktimën me veturë, e më pas vazhdon në drejtim të bjeshkëve të Strellcit, dhe kur arrin tek “Kroni i Lajthisë” fillimisht e privon me armë duke shtënë dy herë në kokë, e më pas për të humbur gjurmë të njëjtën e mbulon me disa drunj dhe largohet nga vendi i ngjarjes, kurse viktima më 27.12.2015 është gjetë pa shenja jete në vendin e ngjarjes nga disa kalimtarë të rastit.

Sipas aktakuzës, më parë e gjerë më 09.11.2015, në fshatin Strellc Komuna e Deçanit, pa autorizim ka poseduar armën dhe atë një revole të tipit të panjohur dhe një pushkë gjuetie me numër serik 0193117 si dhe 12 fishekë të kësaj pushke , në atë mënyrë që me revole ditën kritike ka kryer veprën penale të cekur si më lartë.

Gjithashtu, sipas aktakuzës më parë dhe gjerë më 23.05.2017, në fshatin Strellc i ulët Komuna e Decanit, pa autorizim ka poseduar armën dhe atë një armë AK-47 me numër serik 120331141 dhe 2 karikator të zbrazet, në atë që policia gjatë bastisjes dhe kontrollit në shtëpinë e të pandehurit në dhomën e fjetjes gjejnë dhe sekuestrojnë armën e cekur si më lartë.

Me këto veprime, prokuroria e ngarkon të akuzuarin me veprën penale të “vrasjes së rëndë” nga neni 179 i KPRK–së dhe për “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374 i KPRK–së.