Fjalë Kyçe

Bajrami: Në bazë të numrit të punëtorëve do t’i subvencionojmë ndërmarrjet private

Bajrami: Në bazë të numrit të punëtorëve do t’i subvencionojmë ndërmarrjet private

Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, ka thënë se janë duke përcaktuar kritere që në bazë të numrit të punëtorëve që i kanë pasur vitin e kaluar të subvencionojnë ndërmarrjet.

Ajo ka thënë se për momentin, për këtë masë kanë 50-60 milionë euro.

Bajrami ka thënë se do ta marrin numrin e punëtorëve në ndërmarrjet private dhe do ta bëjnë pagesën.

“Ne sot e diskutuam mënyrën e distribuimit të mjeteve. Neve na duhet që të marrim listat e sakta të numrit të ndërmarrjeve, të marrim listën e punëtorëve në vitin e kaluar dhe pastaj do të flasim sa do të jetë kjo, por kjo do të jetë një ndihmë për punëtorët”, ka thënë ajo.

Ajo ka thënë se sipas të dhënave të fundit janë 236 mijë punëtorë në sektorin privat.

Bajrami ka thënë se, nuk do të ketë mbështetje për sektorët e rregulluar. Këtu sipas Bajramit hynë bankat, mikrofinancat, kompanitë e sigurimeve, kompanitë e telefonive.

Ajo ka thënë se një masë tjetër është mbështetja e eksportit. Sipas saj, do të ketë disa milionë euro për t’i mbështetur ndërmarrjet që eksportojnë.