Fjalë Kyçe

Bajrami për 2 milionët e vjedhura: U thyen fjalëkalime, s’u kërkuan nënshkrime për transaksionet

Bajrami për 2 milionët e vjedhura: U thyen fjalëkalime, s’u kërkuan nënshkrime për transaksionet

Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, ka thënë se lidhur me transaksionin nuk është kërkuar nënshkrimi i saj e as i drejtorit të Thesarit, duke shtuar se e gjitha ka ndodhur përmes një falsifikimi.

Derisa ka raportuar në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike, ajo ka thënë se janë duke i ndërmarrë të gjithë hapat ligjorë lidhur me rastin e vjedhjes së më shumë se 2 milionë eurove nga Thesari i Shtetit.

“Ashtu siç kam njoftuar edhe më herët ne po i ndërmarrim të gjitha hapat ligjor. Pas 3 minutave që unë jam informuar kam raportuar në polici. Ky është një krim ekonomik, i realizuar përmes një krimi kibernetik. Ka pasur qasje të paautorizuar, janë tejkaluar autorizimet ligjore, dhe është bërë keqpërdorim i detyrës zyrtare dhe janë thyer passworde. Nuk është kërkuar për asnjë transaksion nënshkrimi im as i drejtorit të thesarit. E gjitha ka ndodhur përmes një falsifikimi. Ne i kemi njoftuar organet e drejtësisë përfshirë prokurorinë, departamentin për krime kibernetike dhe ekonomike, njësinë për inteligjencën financiare dhe AKI”, ka thënë ajo.

Ajo ka bërë të ditur se transaksioni është bankar dhe ka gjurmë për gjithçka.

“Ka gjurmë se nga cili kompjuter janë bërë nga cili zyrtarë janë bërë, ku kanë shkuar dhe nga cila kompani madje janë ndarë nëpër subjekte. Krimi është i gjurmueshëm. Me këtë rast po merren të gjitha organet. Prej 2009 ka ndodhur delegimi i pagesave në mënyre elektronike. As nuk është kërkuar nënshkrim nga ana ime. Është bërë pa autorizim, ka tejkalim dhe keqpërdorim i të detyrës zyrtare dhe është krim ekonomik dhe kibernetik”, ka shtuar tutje Bajrami.

Ndryshe, përmes katër transaksioneve të ndryshme, 2 milionë e 77 mijë e 995 euro të shtetit të Kosovës janë transferuar më 9 tetor në kompaninë “LDA Group” Shpk, me bazë në Llapushnik të Drenasit.

Transferimin e gjithë këtyre parave në konton e kësaj kompanie, dyshohet se e mundësoi një punëtor i Thesarit të Kosovës, me inicialet L.G., i cili është arrestuar mbrëmjen e 20 tetorit.