Fjalë Kyçe

Ballkani e nis sot rrugëtimin e ri evropian

Ballkani e nis sot rrugëtimin e ri evropian

Ballkani do ta nisë sot rrugëtimin e ri evropian.

Pasi bënë sensacion në sezonin e kaluar, kampionët e Kosovës janë të vendosur ta përsërisin këtë sukses edhe në edicionin 2023/24.

Ekipi Portokalli do të zbresë në fushën e blertë sonte për të luajtur në rrethin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve.

Skuadra nga Suhareka do të luajë në cilësinë e nikoqirit, derisa e pret Ludogoretsin, shkruan “Gazeta Express”.

Trajneri Ilir Daja e ka bërë gati ekipin që do t’i kundërvihet sot ekipit të njohur bullgar.

Therandasit e presin përkrahjen e publikut në stadiumin “Fadil Vokrri”, në ndeshjen që do të fillojë në orën 20:45.

Deri tash janë shitur mbi 5 mijë bileta, ndërsa shitja e tyre do të vazhdojë sot deri në orën 14:00.

Ballkani do të mundohet të nxjerr rezultat sa më të favorshëm në lojën e parë, për të qenë më i qetë në atë të kthimit.

Për çdo rast, nëse nuk arrin ta kalojë gjigantin bullgar, Ballkani, njëjtë si në sezonin e kaluar, do t’i vazhdonte garat në Ligën e Konferencës, aty ku e shkroi historinë në edicionin 2022/23.