Ilir Daja do të jetë në krye të Ballkanit edhe për të paktën dy vjetët e ardhshme, ka njoftuar klubi suharekas.
Në njoftimin e publikuar në Facebook, KF Ballkani tha se të gjitha planet e klubit në këtë periudhë kohore “lidhen me projektin e përbashkët me trajnerin tonë”.
“Të dashur tifozë. Ashtu siç kemi bërë të ditur në fund të muajit shkurt, profesor Ilir Daja do të jetë pjesë e jona, së paku edhe për dy vjet. Të gjitha planet e klubit për këtë periudhë kohore, lidhen me projektin e përbashkët me trajnerin tonë. Çdo formë tjetër që po merr jehonë në media, mbetet thjeshtë spekulim, me qëllime dashakeqe ndaj klubit”, thuhet në njoftim.
Për vazhdimin e kontratës me Dajën, klubi nga Suhareka pati shkruar edhe më parë.
Ballkani është kampion tri herë radhazi në Superligën e Kosovës në tri vjetët e fundit.
Daja kishte nënshkruar me Ballkanin në janar të 2022-s. Ai ishte shpallur trajner i vitit 2023 nga Federata e Futbollit të Kosovës.