Fjalë Kyçe

Ballkani largon njërin prej serbëve sepse nuk iu përshtat ekipit, tjetri mbetet në skuadër

Ballkani largon njërin prej serbëve sepse nuk iu përshtat ekipit, tjetri mbetet në skuadër

Ballkani ka qenë temë e gjerë diskutimi në afatin kalimtar dimëror në Superligën e Kosovës në futboll.

Skuadra nga Theranda është njëra ndër ekipet më të përforcuara gjatë kësaj periudhe.

Transferimi që shkaktoi më së shumti “zhurmë” ishte Demir Avdic, sulmuesi me nënshtetësi serbe, por i cili vjen nga Novi Pazari.

Nënshtetësia e tij i ka penguar shumëkujt, shkruan gazeta “Zëri”.

Ballkani e ka larguar lojtarin në fjalë për shkak se ky i fundit nuk i është përshtatur filozofisë së skuadrës, sipas trajnerit Sami Sermaxhaj.

Rastin e Avdic e ka komentuar Sermaxhaj, i cili në një prononcim për gazetën “Zëri” tha se futbolli njeh vetëm paraqitjet e lojtarëve në gjithë botën, pavarësisht racës, bindjeve fetare dhe nacionalitetit. “Futbolli njeh performancat në mbarë botën, pavarësisht racës, bindjeve fetare dhe nacionalitetit”, deklaroi fillimisht Sami Sermaxhaj.

Më tutje Sermaxhaj ka treguar se në kohën kur klubi i Ballkanit është privatizuar ka bërë kompromis që të mos e transferojë asnjë futbollist serb.

“Klubi i Ballkanit, por edhe klubet tjera e kanë një traditë që futbollistët serbë të mos vijnë në klubet kosovare. Klubi ynë ka respektuar këtë marrëveshje, e cila është arritur kur është privatizuar. Këta lojtarë që ne kemi sjellë nuk janë serbë. Përndryshe, kemi transferuar lojtarë nga Mali i Zi dhe Novi Pazari. Sa i përket Demir Avdic, me të kemi ndërprerë bashkëpunimin për shkak të mospërshtatjes së tij në skuadër”, vazhdoi Sermaxhaj.

“Kemi pasur shtatë largime dhe gjashtë ardhje. Ka përfunduar ky afat për ne. Jam i kënaqur me angazhimin e klubit, kemi sjellë lojtarë më shumë se që kam pritur dhe se tani jemi më të kompletuar”, vlerësoi Sermaxhaj.