Fjalë Kyçe

Ballkani reagon pas raportimit se Prokuroria ka nisur hetimet për ndeshjen ndaj Dinamo Zagrebit

Ballkani reagon pas raportimit se Prokuroria ka nisur hetimet për ndeshjen ndaj Dinamo Zagrebit

Klubi i futbollit Ballkani, ka reaguar pas raportimeve se Policia e Kosovës dhe Prokuroria e Shtetit kanë nisur hetimet për ndeshjen e luajtur vitin e kaluar ndaj Dinamo Zagrebit për veprën penale “kurdisje”.

Ballkani tha se është shqetësuese tendenca për dëmtimin e imazhit të klubit nga lajmet që qarkulluan sot në media.

“Po tentohet të hidhet pluhur ndaj një fitore të jashtëzakonshme e historike të arritur ndaj skuadrës së madhe, Dinamo Zagreb, ndeshje që pushtoi mediat evropiane e botërore për suksesin e madh të skuadrës sonë”.

“Ftojmë të gjitha instancat e drejtësisë, Prokurorinë e Gjykatën, hetues e gazetarë, që të merren seriozisht me këtë çështje, duke sqaruar çdo detaj të mundshëm për opinionin publik. Dhe kur kjo të bëhet, të japin përgjegjësi të gjithë të involvuarit në këtë histori sepse ne nuk mund të lejojmë të përlyhet emri i klubit tonë, puna e djersa jonë”, thuhet në reagimin e Ballkanit.

Tutje, Ballkani tha se janë të hapur për çdo ndihmë, e cila sipas tyer, mund të jetë e nevojshme për organet kompetente në mënyrë që gjithçka të zbardhet sa më parë.

Gjatë ditës është raportuar se Policia e Kosovës bashkë me Prokurorinë e Shtetit kanë nisur hetimet për ndeshjen Ballkani – Dinamo Zagerbi, e cila ishte luajtur vitin e kaluar në “Fadil Vokrri”, e që përfundoi me fitoren e suharekasve.