Gjatë ditës së sotme në Gjykatën në Pejë ka nisur seanca lidhur me vrasjen e tre personave në Gllogjan të Deçanit.
Si dëshmitar gjatë ditës së sotme është dëgjuar Beqë Hamzaj, babai i djalit të vrarë në autobus, i cili po kthehej nga shkolla më 26 nëntor të vitit 2021.
Në fjalën e tij para trupit gjykues Hamzaj foli për momentin kritik.
“Atë natë djali im i ndjeri, diku edhe 25 në 7 i ka shkru nanës së vet “Bama bukën gati se jam ka vijë e nuk vanohna.”. Mu zakonisht djali m’vijke në 15 në 7 ose 10 në 7. E kam marr telefonin dhe e kam thirre. Aty ishte lajmëruar një djalë tjetër. Më është lajmëruar një djalë tjetër. Më ka thënë mos e leni pa ardhë se na kanë gjujtë me automat në autobus” – tha Hamzaj
Për këtë vrasje të rëndë po akuzohen Kreshnik, Halil e Kastriot Mehmetaj.
Viktima ishin 2 nxënës 17-vjeçarë, L.H. dhe G.M., dhe shoferi i autobusit G.Gj.
Vrasja kishte ndodhur në orët e mbrëmjes deri sa një autobus po qarkullonte në rrugën nëpër Gllogjan.
Gjatë seancës së kaluar ndaj kryefamiljarit Mehmetaj dhe dy djemve të tij pati rrëfime në detaje nga të akuzuarit dhe familjarë të viktimave.
Sipas dosjes së Prokurorisë, Kreshnik e Kastriot Mehmetaj kishin planifikuar vrasjen dhe kishin ndarë detyrat, për mënyrën dhe kohën e kryerjes së vrasjes, kurse babai tyre i kishte shtyrë në këto veprime.
Asnjëri nga të akuzuarit nuk e ka pranuar fajësinë për akuzat që u vihen në barrë nga Prokuroria.
Gjykata e Pejës kishte aprovuar kërkesën e prokurores Gashi dhe kishte caktuar masën e paraburgimit për të tre.
Tutje në janar të vitit 2022 njërit nga të arrestuarit më 11 dhjetor të vitit 2021 i është zëvendësuar masa e paraburgimit me atë të arrestit shtëpiak.