Fjalë Kyçe

Banka Botërore: Deri në 150 mijë njerëz në Kosovë mund të bien në varfëri pas pandemisë

Banka Botërore: Deri në 150 mijë njerëz në Kosovë mund të bien në varfëri pas pandemisë

Banka Botërore ka publikuar një raport për dëmet që do të pësojnë shtetet e Ballkanit Perëndimor pas pandemisë Covid-19. Sipas këtij raporti këto shtete, mes tyre edhe Kosova do të bien në varfëri të thellë.

Sipas vlerësimeve të Bankes Boterore, në mungesë të kundërpërgjigjeve nga ana e qeverive, më shumë se 400.000 banorë mund të bien në varfëri në këtë rajon dhe shtresa e mesme mund të tkurret ndjeshëm.

Sipas këtij studimi efektet në varfëri në Kosovë ka gjasë të jenë të mëdha. Shumë njerëz pritet të humbasin vendin e punës e sidomos punëtorët sezonalë dhe të punësuarit në sektorin informal.

Pandemia Covid-19 do të rrisë nivelin e varfërisë në Republikën e Kosovës, ku prej 57 mijë deri në 148 mijë njerëz në Kosovë mund të bien në varfëri.

“Me ndërprerjen e aktivitetit ekonomik dhe rënien drastike të remitancave si rezultat i COVID-19, ka gjasa që efektet në varfëri në Kosovë të jenë të konsiderueshme. Një numër i shumë i madh individësh pritet të humbasin vendin e punës, veçanërisht ata me kontrata me afat të caktuar, punëtorët sezonalë dhe të punësuarit në sektorin informal. Kosova ka një sektor të madh ndërtimi, i cili është veçanërisht i ndjeshëm pasi përbën një burim të rëndësishëm të të ardhurave për shtresat e varfëra dhe të cenueshme në zonat urbane. Në të vërtetë, simulimi i kryer për këtë shënim sugjeron se 57,000 – 148,000 njerëz mund të bien në varfëri, ndërsa klasa e mesme mund të tkurret me rreth 100,000 njerëz. Kjo është ekuivalente me një rritje prej 4-10 pp të shkallës së varfërisë. Megjithëse asistenca sociale është një burim i rëndësishëm i të ardhurave për të varfërit (rreth 15 për qind në 2017) dhe në njëfarë mase do t’i mbrojë ata nga efektet e krizës, më shumë se gjysma e njerëzve që do të bien në varfëri nuk përfitojnë nga asnjë program aktual i përkrahjes sociale (megjithëse rreth 40 për qind e tyre marrin pension), duke rritur kështu nevojën për zgjerim të mbulimit dhe ndoshta edhe bujarinë e programit të transfertave në para fizike me qëllim lehtësimin e efekteve nga rënia e të ardhurave.”, thuhet në këtë raport të Bankës Botërore.

Në këtë studim gjithashtu thuhet se kriza Covid-19 e gjeti Ballkanin Perëndimor me nivele të larta rekord punësimi. Punësimi në Ballkanin Perëndimor arriti nivelin më të lartë historik në vitin 2019 prej 45,6 për qind për
grup-moshat 15+, një rritje me 1,4 pikë përqindjeje nga viti 2018.

Në fund të vitit, Kosova kishte rritjen më të madhe të numrit të personave të punësuar: 6,7 për qind në normë vjetore. Rritja vjetore e punësimit qe rreth 4 për qind në Bosnjë dhe Hercegovinë, në Maqedoninë e Veriut dhe në Serbi dhe 3,1 për qind në Shqipëri, por në Malin e Zi u ngadalësua në 0,3 për qind në normë vjetore. Në vitin 2019, janë krijuar 190.000 vende të reja pune në Ballkanin Perëndimor, nga të cilat më shumë se një e treta janë krijuar në
Serbi.

Deri në fund të vitit, niveli i punësimit në rajon qe 7,7 për qind më i lartë se në qershor të vitit 2008,
në fillim të krizës së fundit financiare globale, dhe rajoni ka pasur pesë vjet rritjeje të vazhdueshme të
punësimit me normë mesatare vjetore prej 2,8 për qind.