Fjalë Kyçe

Banorët e Prishtinës ankohen për rrugët e këqija në kryeqytet

Banorët e Prishtinës ankohen për rrugët e këqija në kryeqytet

Të shumta janë ankesat e qytetarëve të Prishtinës për infrastrukturën në kryeqytet. Punimet e nisura e të lëna në gjysmë, sipas tyre, po krijojnë problem në qarkullimin e përditshëm në Prishtinë.

Me një problem të tillë banorë të lagjes ‘’Pejton’’ thonë se po përballen që një vit dhe se puna këtu është duke u zvarritur nga pushteti komunal. Për punimet në këtë pjesë të Prishtinës drejtori për Investime Kapitale në Komunë, Gëzim Mehmeti, thotë se vonesa më e madhe ka ardhur si pasojë e pandemisë, raporton KOHA.

Ndërkohë që, sipas tij, kanë hasur edhe në probleme të tjera gjatë asfaltimit dhe rikonstruktimit të tërësishëm të kësaj lagjeje. E derisa në “Pejton” kanë nisur punimet, pakënaqësi kanë ata të lagjes “Mati” në Prishtinë, të cilët thonë se puna këtu është lënë pas dore.

Derisa shprehen se Komuna këtu do të duhej të niste punimet sa më shpejt për rregullimin e infrastrukturës rrugore, që do të lehtësonte edhe lëvizjen e automjeteve. Për këtë pjesë të lagjes Mehmeti thotë se kanë përfunduar procedurat e prokurimit dhe se shpejt do të nisin punimet në rikonstruktimin e tërësishëm të lagjes.

Mehmeti shtoi se Drejtoria të cilën ai e udhëheq primare e ka krijimin e kushteve të përshtatshme infrastrukturore për secilën lagje. Prioritet kryesor janë hapësirat e reja për parkingje në lagje, shtigjet e biçikletave dhe rrugët e paasfaltuara.