Pluhuri shoqëron për në shkollë çdo ditë fëmijët e Valiasit të ri në Kamëz.
Pluhuri i rrugës për thuajse dy muaj ua ka vështirësuar kalimin banorëve. Imazhet e këtyre rrugëve të sjellin nëpër mend pamjet e turbullta të shkretëtirave. Efekt
“Ne kur vijmë në shkollë, makinat kalojnë me shpejtësi dhe mezi marrim frymë nga tymi”, tha një fëmijë.
Në mars të këtij viti, në Valias të Ri ka nisur ndërtimi i rrjetit të ujësjellës kanalizimeve. Sipërmarrësit e punimeve kanë afat 1 vjeçar për përfundimin e projektit
Për shkak të pluhurit, dyqanet pranë rrugës janë detyruar ti mbajnë qepenat mbyllur.
“Edhe dera mbyllur edhe dritaret mbyllur, ja si është bërë me pluhur. Ja nisin rrugës këtu e lenë, ja nisin tjetrës, e lenë. Këtu pluhuri është bërë sikur jemi në fabrikë tullash. Ngrihet pluhuri, nuk e sheh njeriu- njeriun për të kaluar”, u shpreh një banor në Valias i Ri.
Sipas banorëve pas vendosjes së tubacioneve të kanalizimeve, kompania kontraktuese nuk është kujdesur për mirëmbajtjen e rrugës.
“Fëmijët tërë pluhur, këtu nuk merr kush masa me vdes”, tha një banor.
“Unë tani kam ardhur nga jashtë edhe kam ardhur të marr familjen për tu larguar se nuk po rrinë dot fëmijët, pluhur i madh”, u shpreh një tjetër banor.
“Sa herë ndërrohen kryetarët e bashkisë vijnë e fusin nga një tub këtu. Ja këta fëmijët që shkojnë tek shkolla, paguajnë taksë për këtë rrugë, për këtë pluhur. Firma e ka në kontratë, botin për të spërkatur vendin që mos ngrihet pluhuri, unë vuaj vetë nga mushkëritë dhe marr 150 mijë lek ilaçe”, tha një tjetër banor i Valiasit të ri.
Euronews Albania kontaktoi me një nga sipërmarrësit e punimeve, administratori i kompanisë së ndërtimit 4-AM deklaroi se rrugët ku po kryhen punimet janë spërkatur sa herë lind nevoja, megjithatë realiteti tregon krejt të kundërtën.”
Përgjegjës i lagjes numër 1 në bashkinë Kamëz thotë se pritet shtrimi dhe pastrimi i këtyre rrugëve.
“Është e vërtetë se kemi pasur ankesa të ndryshme nga zona e Valiasit të Ri. Jemi në fazën që projekti i kanalizimeve ka përfunduar, rrjeti i ujësjellësit është në fazën e testimit. Menjëherë në dijeninë time do fillojë shtrimi dhe pastrimi i këtyre rrugëve siç kanë qenë të shtruara me asfalt”, tha Gentjan Prekperaj, përgjegjës i lagjes numër 1 në Kamëz.
Deri në zgjidhjen e kësaj problematike, pluhuri do vijojë të pushtojë rrugët e ndodhura vetëm 12 km larg qendrës së Tiranës./euronews.al